Kryeministri i Groenlandës ka thënë se populli i tij do të zgjidhte Danimarkën mbi SHBA-në nëse do t'i kërkohej të bënte një zgjedhje të tillë "këtu dhe tani".
Deklarata e Jens-Frederik Nielsen në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin danez është më e forta e bërë nga një përfaqësues i territorit gjysmë-autonom danez që kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump rinovoi planin e tij për ta aneksuar atë. Trump thotë se SHBA-të duhet ta “zotërojnë” Groenlandën për t’u mbrojtur nga Rusia dhe Kina. Shtëpia e Bardhë ka propozuar blerjen e ishullit, por nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta aneksuar atë.
Danimarka është anëtare e NATO-s dhe kryeministrja Mette Frederiksen ka paralajmëruar se përdorimi i forcës ushtarake do të nënkuptonte fundin e aleancës transatlantike të mbrojtjes.
Pavarësisht se është territori më pak i populluar, vendndodhja e Groenlandës midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë ideale për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast të sulmeve me raketa dhe për monitorimin e anijeve në rajon.
Trump ka thënë vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke pretenduar pa prova se ajo është "e mbuluar nga anijet ruse dhe kineze". SHBA-të tashmë kanë më shumë se 100 personel ushtarak të stacionuar përgjithmonë në Bazën Pituffik në skajin veriperëndimor të Groenlandës, një strukturë e operuar nga SHBA-të që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-të kanë të drejtë të vendosin sa trupa të duan në Grenlandë. Megjithatë, Trump u tha gazetarëve në Uashington javën e kaluar se një marrëveshje qiraje nuk është e mjaftueshme - SHBA-të "duhet të kenë pronësi" dhe "NATO duhet ta kuptojë këtë".
Lini një Përgjigje