Më 16 janar 1979, Teherani u zgjua nën klithmat e një populli që besonte se kishte fituar: “Tirani iku, populli triumfoi.” Ishte dita kur Shah Mohammad Reza Pahlavi dhe bashkëshortja e tij, Perandoresha Farah Diba, lanë Iranin mes trazirave të dimrit që paralajmëronin lindjen e një republike islamike. Pas largimit, filloi kalvari i mërgimit: Egjipt, Marok, Bahamas, Meksikë, Shtetet e Bashkuara, të ndjekur nga një dënim me vdekje në mungesë.
Vite më pas, gjatë një interviste në Paris, e pyeta Shahbanunë: “A patët frikë?”.
Ajo buzëqeshi hidhur: “Frikë? Jo. Nuk kam frikë nga vdekja. Shkruan dikur ‘The Guardian’ se do më vrisnin, dhe ministri i Brendshëm francez më dha mbrojtje. Më mirë të vdes e qëlluar, sesa në ndonjë spital nga ndonjë kancer.” Sytë e saj u mjegulluan me kujtimet e dhimbshme të ditëve të fundit me Shahun, që do të shuante jetën në Egjipt.
Kur dikur ulej pranë Shahu mbi Tronin legjendar të Palloit, Farah Diba nuk mbante stoli të çmuara, veçse një spilë me hartën e Iranit në ngjyrat e flamurit. Gruaja që Shahu e dashuroi dhe e kurorëzoi në vitin 1959, do ta ndante me të fatin tragjik të rrëzimit dhe mërgimit, por do ta ruante gjithmonë hijeshinë mbretërore: elegante, fisnike, me flokët e kapura me një fjongo të zezë. “Kur isha 16-17 vjeç, nuk isha ndonjë bukuri e rrallë,” kujton ajo, “por me kohë u bëra më e rafinuar, këtë ia thosha shpesh vajzës sime Leila, që tani nuk është më…”
Ish-perandoresha ndalet për një çast, si për të kapur ëndrrat e dikurshme. Nxjerr një copë asfalti të lyer nga Revolucioni i Gjelbër: “Ma dërguan nga Irani, është bërë si një vepër arti.” Flet me pasion për Teheranin dhe ndryshimet dramatike. “Gratë e reja tani e dinë çfarë ishte Irani dikur. Janë gratë dhe të rinjtë që kanë vuajtur më shumë: të poshtëruara, të burgosura, me ligje që i shtypin. Kur Shahu më vendosi kurorën më 1967, ndjeva se po ia vendoste çdo gruaje iraniane. Sot, një grua mund të fyehet në rrugë vetëm se nuk mban shami. Unë ëndërroj një Iran laik dhe demokratik.”
Festimet për 2500-vjetorin e Perandorisë Perse në vitin 1971, shpesh janë kritikuar për luksin e tepërt: 200 milionë dollarë, darka me vezë shpendësh të egër dhe kavjar, gota Baccarat. “Na kritikuan shumë,” rrëfen ajo. “Por Shahu donte t’i tregonte botës historinë dhe pasurinë e Iranit.”
Pak e dinë që Farah Diba ka ndjekur për disa vite një shkollë italiane në Teheran. “Në atë kohë më regjistruan aty sepse kishin një piano të bukur dhe mamaja donte të mësoja muzikë… nuk kishim piano në shtëpi, kështu që ushtrohesha në bodrumin e kolegjit,” kujton ajo, duke qeshur. Ka qenë skautiste, ka luajtur basketboll me numrin 10 – si Maradona dhe Baggio, thotë me humor. Djali i saj Reza, trashëgimtari i fronit të humbur, jeton në SHBA dhe është tifoz futbolli.
Jetën në mërgim e ndan mes Parisit dhe Amerikës, ku takon fëmijët dhe nipërit. “Kam një qen që ma dhuroi mbesa ime Noor, pasi ai që më shoqëroi për 17 vjet vdiq… nuk kisha guxim të merrja një tjetër.” Në Paris, e shijon artin dhe muzikën: “Kam dëgjuar Pavarottin, dikur blija disqet e Caruso-s. Bienalja e Venecias më është shumë për zemër.”
Ishte pikërisht arti që i hapi rrugën takimit të saj me Shahun, një takim që do të ndryshonte historinë. “Studioja Arkitekturë në Paris, banoja në Cité Universitaire. Shahu takonte studentët iranianë kur vizitonte vendet evropiane. Një ditë, gjatë një pritjeje në ambasadë, më pyeti: ‘Çfarë studion?’ dhe u habit kur i thashë ‘Arkitekturë’ – në atë kohë pak vajza zgjidhnin këtë fushë.” Pak kohë më pas, më 21 dhjetor 1959, ajo do të bëhej gruaja e Shahut me një fustan të Dior-it dhe një kurorë 2 kilogramëshe me diamante.
Por ishte arti ai që e mbajti të lidhur me atdheun edhe në vitet e mërgimit. Në 1962 nisi të mbështesë artistët iranianë, ngriti galeri, biblioteka për fëmijë, muze të qilimave dhe të pikturës Qajar. Vizioni i saj për Teheran Museum of Contemporary Art përfshinte edhe vepra të huaja: “Pse të kufizohemi te arti iranian? Le të sjellim botën në Teheran.”
Në prag të Revolucionit, muzeu kishte grumbulluar mbi 1500 vepra arti, përfshirë Degas, Picasso, Warhol. “S’e di sa ishin saktësisht… shumë. Krijova një komitet dhe nisëm të bashkëpunonim me galeritë më të njohura.” Kur mësuan që një pikturë e De Kooning po shkëmbehej, ajo telefonoi duke u shtirur si studente iraniane: “Ju lutem, mos e jepni atë vepër,” tha. Por ishte tepër vonë.
Për ndjenjat e iranianëve sot? “Besoj shumë janë penduar për atë që ndodhi. Më dërgojnë letra, piktura, portrete të mi dhe të Shahut, të punuara fshehurazi. Kur më marrin në telefon, thonë: ‘Ju faleminderit që më folët, kjo bisedë do më mbajë të lumtur për muaj të tërë.’ Por janë ata që më japin shpresë. E unë… nuk e them asnjëherë emrin tim. Vetëm përshëndes: ‘A mund të flas me zotin…?’ Ata e njohin zërin tim. Dhe tani… më dhemb shpirti.” /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje