TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Janar 2026, 14:44

Nga Iraku në Minesota: Kush konsiderohet terrorist sot në SHBA?

Shkruar nga Jos Joseph
Nga Iraku në Minesota: Kush konsiderohet terrorist sot në SHBA?
Protesta në Minesota

Një veteran i Luftës në Irak tregon se si përkufizimi i terrorizmit është përdorur dhe keqpërdorur, duke e kthyer frikën në një armë politike kundër qytetarëve. Qeveria amerikane e ka përdorur fjalën “terrorist” për të kaluar nga hakmarrja e 11 Shtatorit në një makineri fitimprurëse...

Ashtu si shumë amerikanë, edhe unë u trondita nga videot që erdhën nga Minesota, ku shihet një shtetase amerikane që qëllohet me armë zjarri ndërsa po largohej me makinën e saj për t’i shpëtuar oficerëve të Emigracionit dhe Doganave (ICE).

Edhe pse situata ishte ende në zhvillim, mbeta i habitur nga mënyra se si Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, mezi priste të justifikonte vrasjen duke pretenduar se gruaja që po largohej ishte e përfshirë në “një akt terrorizmi të brendshëm”.

Si veteran i “Luftës Globale kundër Terrorizmit”, e kam parë administratën Trump të përdorë fjalën “terrorist” për të përshkruar jo vetëm Renee Good, por çdo protestues jo-republikan në SHBA, udhëheqësin venezuelian të kapur Nicolás Maduro, civilët në Gazë, Antifën, demokratët dhe pothuajse këdo tjetër që ai nuk e pëlqen.

Kjo ngre pyetjen: çfarë është saktësisht një terrorist në ditët e sotme? Sigurisht, republikanët e lëvizjes MAGA nuk mund të jenë aq të frikësuar nga bashkëkombësit e tyre, sa ta pranojnë një përkufizim të tillë dhe të pajtohen me dhunën brutale ndaj njerëzve të pafajshëm.

Më 11 shtator 2001, duhej të shkoja në Qendrën Botërore të Tregtisë), por nuk shkova sepse miku im ishte larguar në momentin e fundit. Në vend të kësaj, pashë nga qyteti im i lindjes, Clifton, New Jersey, teksa Kullat Binjake digjeshin e më pas shembeshin.

Ndjeva një zemërim të jashtëzakonshëm ndaj autorëve të krimit dhe vendosa të bëja diçka. U regjistrova në Marinë pjesërisht sepse ndjeva se duhej ta mbroja vendin tim nga përsëritja e një ngjarjeje të tillë. I thashë vetes se terrorizmi islamik nuk ishte vetëm një kërcënim për SHBA-në, por edhe për botën islame.

U rekrutova në ushtri me bindjen se do ta mposhtnim terrorizmin dhe do ta mbanim botën të sigurt. Pastaj u dërgova në Irak. Por doli që “lufta kundër terrorizmit” e SHBA-së krijoi shumë më tepër terroristë sesa kishte para ngjarjeve të 11 Shtatorit.

Ndërsa po angazhoheshim në “ndërtimin e një kombi” që tashmë ekzistonte, na u desh të përballeshim me personazhe djallëzorë. Edhe pse disa besonin në idenë e xhihadit global, unë dyshoja se shumë irakianë u bënë “terroristë” thjesht sepse nuk donin që ne të ishim në vendin e tyre.

Kur u ktheva në shtëpi, u mundova të kuptoja se çfarë kishim bërë atje dhe nëse kjo na bënte vërtet më të sigurt. Pashë teksa dërgonim atje më shumë amerikanë si unë. Kur u vra Osama Bin Ladeni, u emocionova shumë. Mendova se puna u krye dhe se mund t’i kthenim ushtarët tanë në shtëpi.

Por kjo ndodhi në vitin 2011. Siç e dimë tani, lufta vazhdoi në Afganistan deri në tërheqjen e vitit 2021. Që atëherë kemi bombarduar “terroristë” në Siri, Somali, Libi, Jemen, Pakistan, Nigeri, Irak, Iran dhe shumë vende të tjera.

Pastaj fjala “terrorist” filloi të përdorej si një etiketë e përgjithshme për këdo që nuk pëlqehej nga presidenti Trump. Një udhëheqës sirian që dikur luftoi kundër trupave amerikane si komandant i Al-Kaedës, si presidenti aktual sirian Ahmed Al-Shara, nuk konsiderohet terrorist.

Ndërkohë, qenka terroriste një grua që përpiqet t’u largohet oficerëve të ICE me makinën e saj. Ky sugjerim do të ishte qesharak, po të mos ishte kaq i lig dhe tragjik. Qeveria amerikane e ka përdorur fjalën “terrorist” për të kaluar nga hakmarrja e 11 Shtatorit në një makinë fitimprurëse parash.

Luftërat e vogla që bëjmë nëpër botë mund të sjellin herë pas here viktima amerikane (shih Sirinë), por ato gjenerojnë miliarda dollarë për ata që janë në “lojën e terrorizmit”. Tani, Trump dhe njerëzit rreth tij e kanë kuptuar se e njëjta makinerie mund të përdoret për të “luftuar” edhe amerikanët e zakonshëm.

Kjo është arsyeja pse forcat federale të rendit po patrullojnë rrugëve të periferive amerikane duke kërkuar telashe. Kemi parë shpenzimin e miliarda dollarëve për terrorizmin islamik, miliarda për narko-terrorizmin, dhe tani edhe më shumë për të luftuar “terrorizmin e brendshëm”.

Sipas përkufizimit të Trumpit dhe rrethit të tij të ngushtë, kushdo në Amerikë është tani një terrorist i brendshëm. A keni protestuar ndonjëherë kundër qeverisë? A keni marshuar për të drejtat civile? A keni votuar për një demokrat?

A keni pasur një pikëpamje të kundërt apo keni ushtruar të drejtën e lirisë së fjalës? A keni raportuar lajme apo thjesht keni pasur një mendim ndryshe? A keni rezistuar kur të drejtat tuaja kushtetuese u shkelën nga mungesa e një procesi të rregullt ligjor dhe tejkalimi i pushtetit federal?

Atëherë, sipas tyre, mund të jeni një terrorist i brendshëm. Për mua kjo është e pabesueshme. Pas 11 Shtatorit iu bashkova Marinës për të luftuar terrorizmin, vetëm që sot të etiketohesha si terrorist nga një president që nuk i duron dot njerëzit që nuk e pëlqejnë.

Ndoshta ka ardhur koha ta bëjmë më pak fitimprurëse “luftën kundër terrorizmit”, në mënyrë që të ndalojmë së kërkuari njerëz për t’i etiketuar si terroristë, kur qartësisht ata nuk janë të tillë. Përndryshe, do të shohim oficerë federalë që qëllojnë edhe më shumë nëna amerikane, thjesht sepse duan të jetojnë në një vend paqësor./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Hill”

Shënim: Jos Joseph, i diplomuar në Harvard, është një veteran i Korpusit të Marinës së SHBA dhe ka shërbyer në Irak.

oficeret qellojne gruan ne minesota shba

1 Komente

  1. O
    Opionisti

    Te hetohete 11 shtatori dhe terorisem

    Lini një Përgjigje