
Në fjalimin e tij të zgjatur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan Donald Trump nuk la pa përmendur as Londrën dhe kryebashkiakun e saj, Sadiq Khan, duke e sulmuar për të disatën herë në publik.
“Shikoni Londrën, ku keni një kryebashkiak të tmerrshëm, të tmerrshëm, qyteti ka ndryshuar kaq shumë”, deklaroi Trump, teksa kritikonte emigracionin në Europë.
Pas fjalëve të Trump, Sadiq Khan reagoi duke refuzuar të përfshihet në një polemikë personale:
“Nuk do t’i japim dinjitet komenteve të tij të neveritshme dhe të ngarkuara me urrejtje racore. Londra është qyteti më i mirë në botë, më i sigurt se shumica e qyteteve të mëdha amerikane, dhe jemi të lumtur që kemi një numër rekord qytetarësh amerikanë që po vendosen këtu”, tha ai.
Nuk është hera e parë që Trump e sulmon Khan-in. Vetëm javën e kaluar, gjatë kthimit nga vizita shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti amerikan e quajti Khan-in “një nga kryebashkiakët më të këqij në botë” dhe pretendoi se kishte bërë çmos që ai të mos ftohej në banketin mbretëror në Windsor.
Burime pranë zyrës së kryebashkiakut kanë bërë të ditur se Khan as nuk e ka kërkuar dhe as nuk e ka pritur ndonjë ftesë. /SkyNews
Lini një Përgjigje