TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Prill 2026, 12:32

Kaos në BE, diplomacia e paralizuar; si po dështon Unioni në “lojrat e mëdha” politike

Shkruar nga Pamfleti
Kaos në BE, diplomacia e paralizuar; si po dështon Unioni në
Ilustrim

Nga financimi i Ukrainës te Irani dhe Rusia, bllokimet e përsëritura po rihapin debatin për heqjen e vetos në vendimmarrjen e BE-së...

Dështimet në rritje të politikës së jashtme të Evropës, nga vështirësitë për të financuar Ukrainën deri te përgjigjja e fragmentuar ndaj luftës me Iranin, po nxisin thirrje për një reformë të thellë të mënyrës se si blloku zhvillon diplomacinë.

Pamundësia e BE-së për të marrë vendime të unifikuara, si zhbllokimi i një kredie prej 90 miliardë eurosh për Kievin, vendosja e sanksioneve ndaj kolonëve të dhunshëm në Bregun Perëndimor dhe zbatimi i masave që synojnë Rusinë, nxjerr në pah një paralizë sistemike, thanë për Politico, 9 diplomatë, zyrtarë, ligjvënës dhe ekspertë të BE-së.

Në lojë nuk është vetëm procesi i brendshëm: me konfliktin që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme, luftën e Rusisë në Ukrainë që vazhdon pa zgjidhje dhe marrëdhëniet transatlantike nën presion, diplomatët thonë se BE-ja rrezikon të dalë në periferi pikërisht në një moment kur vendimet gjeopolitike po ecin më shpejt sesa mund ta përballojë sistemi i saj.

Pakënaqësia ndaj ngërçit po bëhet publike, ndërsa një grup në rritje vendesh, i udhëhequr nga Gjermania dhe Suedia, po shtyn për të kufizuar ndjeshëm, ose për ta hequr fare, veton kombëtare që i lejon një kryeqyteti të vetëm të bllokojë veprimin.

“Duhet ta shfuqizojmë parimin e unanimitetit në BE për politikën e jashtme dhe të sigurisë para përfundimit të këtij mandati legjislativ, që të jemi më të aftë për të vepruar ndërkombëtarisht dhe të sillemi si një aktor i pjekur”, tha të shtunën ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, sipas grupit mediatik gjerman Funke.

Në vijim ai shtoi “e gjithë përvoja që kemi fituar javët e fundit me ndihmën për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë e tregon këtë”.

Muajin e kaluar, kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se diskutimet për përdorimin e votimit me shumicë të cilësuar në vendimet e politikës së jashtme do të “rikthehen” mes liderëve.

Kjo shtysë vjen ndërsa Hungaria, më pak se një javë para zgjedhjeve të 12 prillit, ka bllokuar në mënyrë të përsëritur vendime madhore, përfshirë kredinë prej 90 miliardë eurosh për Kievin, duke rritur shqetësimet në kryeqytete të tjera se rezultatet e politikës së jashtme të BE-së mund të mbahen peng nga politika e brendshme. Edhe nëse kryeministri Viktor Orbán humbet pushtetin, diplomatët paralajmërojnë se problemi themelor mbetet, sepse unanimiteti i lejon çdo qeverie të marrë të njëjtin rol bllokues.

“Ka probleme serioze në mënyrën si marrim vendime”, tha për Politico ligjvënësi socialist spanjoll Nacho Sánchez Amor, anëtar i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, duke shtuar “çdo muaj del një çështje e re që e thekson këtë prirje. Duhet të reagojmë”.

Një grup tjetër, ku përfshihen Franca, Belgjika dhe vende më të vogla anëtare, që kanë frikë se mund të mbivendosen nga vendet e mëdha, po mbron me vendosmëri të drejtën e vetos, duke argumentuar se ajo është thelbësore për interesin e tyre kombëtar.

“Të hapësh tani një debat për rregullat e unanimitetit evropian, mendoj se do të ishte mënyra më e shpejtë për ta futur BE-në në telashe të vërteta,” u tha gazetarëve në Bruksel muajin e kaluar kryeministri belg Bart De Wever.

Njëqind lule çelin

Një pikë gëzon pothuajse dakordësi të plotë në kryeqytetet evropiane: sistemi nuk po funksionon.

“Shikoni sanksionet ndaj kolonëve në Bregun Perëndimor, është një katastrofë e plotë,” tha një zyrtar i lartë i BE-së me njohuri mbi çështjen, duke iu referuar planeve të mbështetura gjerësisht për vendosjen e sanksioneve ndaj kolonëve ekstremistë izraelitë, por të bllokuara nga Hungaria.

“Kemi 26 vende nga 27 në favor, madje edhe Gjermania është pro, por nuk mund të bëjmë asgjë për shkak të njërit”.

Ashtu si të tjerët në këtë artikull, zyrtari kërkoi anonimat për të folur lirshëm, pasi diskutimet janë konfidenciale.

Tensionet e fundit institucionale e kanë forcuar ndjesinë e humbjes së drejtimit. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe diplomatja e lartë e BE-së Kaja Kallas janë përplasur për atë se kush duhet të marrë drejtimin në politikën e jashtme, ndërsa ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot e paralajmëroi shefen e Komisionit të respektojë kufijtë e rolit të saj gjatë një takimi të ambasadorëve të BE-së muajin e kaluar.

Por diplomatët dhe zyrtarët thonë se këto beteja kompetencash janë simptomë, jo shkak.

Në prapaskenë, diskutimet kanë nisur tashmë. Po zhvillohen shkëmbime “joformale, në nivel të lartë” mes vendeve të mëdha anëtare për të shqyrtuar zgjidhje të mundshme, përfshirë dhënien e një roli më të madh politikës së jashtme në takimet e Coreper-it në nivel ambasadorësh dhe reformimin e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) për të përmirësuar vendimmarrjen, tha diplomati.

Por, pranoi ai, “ende nuk i kemi përgjigjet.”

Problemi është vetoja, pikë

Për shumëkënd, problemi real është unanimiteti.

Një diplomat i tretë i lartë i BE-së përmendi një episod domethënës nga viti 2022, kur ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó mori pjesë në mbledhjet e Këshillit të Energjisë të BE-së, ku vendimet mund të merren me shumicë të cilësuar.

Ai po sillej si Szijjártó… duke sulmuar në të gjitha drejtimet,” tha diplomati. Por, ndryshe nga politika e jashtme, në këtë rast Budapesti mund të mbivotohej. “Ai u trondit. Mendonte se ishte ende në FAC,” shtoi diplomati, duke iu referuar Këshillit të Punëve të Jashtme. “Në shtator (kur rifilluan mbledhjet e Këshillit të Energjisë) ai papritur u bë z. ministri i Sjellshëm dhe i Këndshëm.”

Me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz ende në mospajtim për këtë çështje, institutet kërkimore dhe partitë politike po lëvizin për të formësuar debatin.

Partia Popullore Evropiane (EPP), e qendrës së djathtë, ka paraqitur propozime për të riformatuar arkitekturën e politikës së jashtme të BE-së, duke kërkuar në manifestin e saj të vitit 2024 zëvendësimin e përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme me një “ministër të Jashtëm të BE-së, si nënkryetar i Komisionit Evropian”, si dhe krijimin e një Këshilli Sigurie që do të përfshinte edhe partnerë si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Islanda.

Integrimi i EEAS në Komision

Edhe Stefan Lehne, studiues i lartë në Carnegie Endowment, ka argumentuar për ndryshime të ngjashme strukturore, përfshirë rikthimin e EEAS brenda Komisionit dhe krijimin e një Këshilli Evropian të Sigurisë për t’iu përgjigjur më shpejt kërcënimeve në zhvillim, përfshirë dronët dhe raketat nga Irani.

“Fakti që strukturat tona të politikës së jashtme janë jofunksionale kuptohet nga shumë njerëz,” tha Lehne për Politico.

Ideja për ta integruar EEAS në Komision ka njëfarë mbështetjeje “sidomos në kabinetin e presidentes së Komisionit”, shtoi ai. Por jo të gjithë janë të bindur.

“Mendoj se Komisioni do ta donte shumë këtë,” tha një diplomat i katërt i BE-së për idenë e futjes së EEAS në ekzekutivin e BE-së.

Ndërsa një zyrtar i lartë i EEAS e hodhi poshtë më prerë: “njerëzit shkruajnë dokumente, është e drejta e tyre.”

Për Sánchez Amor, problemi ka të bëjë më pak me strukturat dhe më shumë me vullnetin politik.

“Duhet ta përdorim faktin që ka kaq shumë probleme në vendimmarrje për ta menduar seriozisht këtë: Le të mblidhen Këshilli, Parlamenti, Komisioni dhe përfaqësuesi i lartë për të folur për këtë,” tha ai, duke paralajmëruar njëkohësisht kundër ndryshimeve të traktateve.

Të tjerë e shohin diagnozën më thjesht.

“Problemi bazë nuk ka ndryshuar; problemi bazë i politikës së jashtme është unanimiteti,” tha diplomati i tretë i lartë i BE-së. “Mund të krijosh 1,000 institucione. Për sa kohë që ke unanimitet, nuk mund të funksionojë siç duhet.” /Përshtatur nga Politico/

 

be diplomacia deshtim

Lini një Përgjigje