TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Mars 2025, 22:18

Kandidati pro-rus në Rumani ndalohet të garojë në zgjedhjet presidenciale, Elon Musk: Vendim i çmendur

Shkruar nga Pamfleti

Kandidati pro-rus në Rumani ndalohet të garojë në zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rumani i ka ndaluar sot kandidatit prorus të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale që do të rimbahen në maj, pasi zgjedhjet e nëntorit u anuluan pas fitores së tij në rundin e parë.

Refuzimi i kandidaturës së tij, i dënuar nga liderët e partive të ekstremit të djathtë si jodemokratik, mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

Dhjetëra mbështetës të populistit Georgescu u mblodhën jashtë zyrës zgjedhore duke brohoritur “Liri”, ndërsa për pak tentuan të kalonin kordonin e sigurisë.

Georgescu dorëzoi kandidaturën e tij për raundin e përsëritur të votimit të majit të premten, mes dyshimeve se nuk do t’i lejohej të garonte.

Gjykata më e lartë e Rumanisë anuloi votimin dy ditë përpara raundit të dytë në dhjetor, duke përmendur akuzat për ndërhyrje ruse në favor të Georgescut, të cilat Moska i ka mohuar.

Anëtarë të administratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e cilësuan anulimin e zgjedhjeve në Rumani si një shembull të qeverive evropiane që shtypin lirinë e fjalës dhe kundërshtarët politikë. Ndërsa miliarderi i teknologjisë dhe këshilltari i Trumpit, Elon Musk, e cilësoi vendimin si “të çmendur”.

Georgescu është nën hetim penal për gjashtë akuza, duke përfshirë anëtarësimin në një organizatë fashiste dhe shpërndarjen e informacioneve të rreme mbi financimin e fushatës, ndërsa ai ka mohuar të gjitha akuzat.

Lini një Përgjigje