Kryebashkiaku i burgosur i Stambollit, Ekrem Imamoglu, i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të mos e vendosë Turqinë në të njëjtin nivel me Rusinë dhe Kinën, duke theksuar se një qasje e tillë bie ndesh me realitetet gjeopolitike.
Në një opinion të publikuar nga Politico, Imamoglu shkruan se “vendosja e Turqisë në të njëjtin plan me Rusinë dhe Kinën bie në kundërshtim me realitetet gjeopolitike dhe interesat strategjike të vetë BE-së”.
Ai pranon se qeveria turke “po minon shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore”, por njëkohësisht kritikon Bashkimin Europian për mungesë koherence në qasjen ndaj Ankarasë. Sipas tij, BE-ja lëkundet “mes parimeve dhe interesave, pa arritur të formulojë një vizion të qartë strategjik”.
Imamoglu i bën thirrje unionit që të kuptojë më mirë historinë dhe realitetet shoqërore të Turqisë dhe të “ndalojë së parë vendin përmes frikës, klisheve dhe llogaritjeve afatshkurtra politike”.
Reagimi i tij vjen pas deklaratës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila tha se Europa duhet të forcohet për të mos rënë nën ndikimin rus, turk apo kinez.
Edhe ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, kritikoi këtë qëndrim, duke e cilësuar Turqinë si një “aleat kyç të NATO-s” dhe një partner të rëndësishëm në çështjet e migracionit.
Imamoglu, një nga rivalët kryesorë politikë të presidentit Recep Tayyip Erdogan, thekson se mbështet ende perspektivën europiane të Turqisë, por konsideron se përgjegjësia për ngadalësimin e procesit të integrimit bie mbi të dyja palët.
Lini një Përgjigje