Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit ka mohuar përfshirjen në sulmet e raportuara ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa ka paralajmëruar për një “përgjigje shkatërruese” në rast përshkallëzimi.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve kishte deklaruar se ishte përballur me sulme me raketa dhe dronë “me origjinë nga Irani”. Megjithatë, një zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, që koordinon forcat e armatosura iraniane, tha se Teherani nuk ka kryer asnjë sulm në ditët e fundit.
“Nëse do të kishte ndodhur një veprim i tillë, ne do ta kishim njoftuar qartë dhe në mënyrë vendimtare. Prandaj, raporti i Ministrisë së Mbrojtjes së atij vendi mohohet plotësisht,” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga mediat iraniane.
Megjithatë, deklarata përfshinte edhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë. “Nëse do të ketë ndonjë reagim nga ana e Emirateve, ne do të japim një përgjigje shkatërruese që do të sjellë pendesë,” theksoi komanda ushtarake.
Mbetet e paqartë nëse mohimi përfshin të gjitha strukturat iraniane apo nëse sulmet mund të jenë kryer nga grupe të mbështetura nga Teherani.
Lini një Përgjigje