TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Prill 2026, 14:47

Hiroshima s’na mësoi asgjë, brenda një muaji mund të ndodhë gjithçka!

Shkruar nga Fiorenza Sarzanini

Hiroshima s’na mësoi asgjë, brenda një muaji mund të

Ministri i Italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, paralajmëron se bota po përballet me krizën më të rëndë të dekadave të fundit, ku fuqia ushtarake po triumfon mbi diplomacinë. Sipas tij, nëse konflikti nuk ndalet, brenda një muaji rrezikohet një bllokim total i sistemeve jetike dhe një rënie në humnerën e marrëzisë njerëzore.

Situata gjeopolitike ndërmjet SHBA-së dhe Iranit ka arritur në një pikë kritike, duke lëkundur themelet e sigurisë globale dhe duke nxjerrë në pah dështimin e institucioneve ndërkombëtare. Në këtë intervistë ekskluzive, Guido Crosetto analizon rreziqet e një përshkallëzimi të mundshëm bërthamor, dobësinë e Evropës përballë lëvizjeve të paparashikueshme të Donald Trump dhe nevojën emergjente për unitet politik për të përballuar një emergjencë energjetike dhe ekonomike që po troket në derë.

Jemi përpara një ultimatumi të ri të Donald Trump ndaj Iranit. A po i largohemi fundit të luftës?

Unë shpresoj që të gjithë të ndërgjegjësohen për atë që po përjetojmë. Është një situatë që s’ka precedent në historinë e dekadave të fundit. Kemi një përzierje krizash që grumbullohen, ushqejnë veten dhe që janë gjithnjë e më të vështira për t’u zgjidhur.

Dhe kjo i vë ata që duan të arsyetojnë përballë dobësisë së madhe të multilateralizmit, i cili nuk diti të nxjerrë mësime nga ajo që ndodhi në shekullin e kaluar dhe nuk konsolidoi antitrupat për këtë që po jetojmë tani.

Është ndërtuar OKB-ja...

Sigurisht, por ne e kemi lënë atë të vdesë ngadalë. E lamë të humbasë çdo aftësi ndikimi dhe roli. Mjerisht, në një skenar si ky që po kalojmë, për ne vlen vetëm fuqia. Mos u gënjeni se mund të flitet për fuqi teknologjike apo ekonomike.

Ajo që po peshon realisht sot është fuqia ushtarake. Pavarësisht kësaj, konflikti në Ukrainë dhe ai në Iran po tregojnë se ajo që përcakton kohëzgjatjen e konflikteve është aftësia rezistuese e palës më të dobët. Ndodhi dikur edhe në Afganistan, por edhe në atë rast askush nuk mendoi ta vinte në punë përvojën. Dhe kështu u ushqye terrorizmi fundamentalist.

Cilës gjë i druheni?

Kam frikë se ajo që është tashmë dramatike mund të përshkallëzohet akoma më shumë. Sepse e di që njerëzimi na ka dëshmuar se marrëzia nuk ka kufi. Kujtohuni se ishin qenie njerëzore si ne, ata që vendosën se për t’i dhënë fund një konflikti ishte e pranueshme edhe hedhja e bombave bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki. Fatkeqësisht vazhdojmë të kemi armë bërthamore dhe kush nuk i ka, i kërkon. Pra, nuk kemi mësuar asgjë...

Ju po flisni për kërcënim bërthamor, pra rreziku është real?

Nuk dua as ta shqiptoj këtë fjalë. Rreziku është çmenduria dhe ky që po shohim është një konflikt ku veprimit i korrespondon një reagim i një niveli më të lartë.

Irani ka refuzuar deri tani të gjitha propozimet e Shteteve të Bashkuara. A ka një mënyrë për ta ndaluar Trump-in?

Trump-i është lideri i një kombi sovran dhe askush nga jashtë nuk është në gjendje ta ndikojë.

Atëherë e keni fjalën për një procedurë shkarkimi (impeachment)?

Jo, nuk më duket se kundërshtarët e tij në SHBA po e mendojnë. Besoj se duhet të ketë bashkëpunëtorë më të guximshëm. Një nga problemet e kësaj presidence është se askush nuk guxon të kundërshtojë shefin.

Irani i ajatollahëve, në krye të ekstremizmit antiperëndimor dhe që mbante peng çdo liri, ishte një problem i të gjithëve. Dhe me këtë luftë të vendosur nga dy persona, pa konsultim dhe legjitimitet ndërkombëtar, i kanë bërë një dhuratë regjimit.

A nuk besoni se edhe Evropa duhet ta kundërshtojë me më shumë bindje?

Evropa bën aq sa mundet, por nuk më duket se ka sukses. Ndërkohë, secili duhet të bëjë pjesën e vet. Italia mori një pozicion të rëndësishëm dhe serioz kur tha se nuk është dakord me luftën, duke u përpjekur të kufizojë maksimalisht dëmet.

Por e kemi bërë me vonesë. A nuk mendoni se tani mund të bëhet më shumë, siç po kërkon opozita?

Vërtet mendoni se raportet ndërkombëtare menaxhohen duke bërë garë se kush arrin i pari të bëjë një deklaratë? Italia nuk është aleate e Trump-it apo Biden-it, ne jemi aleatë të Shteteve të Bashkuara. Vetëm kush është budalla mund të mendojë se mund të pritet shumë nga kjo aleancë.

Le të mendojmë për momentin, për Iranin që vendos të reagojë duke lëshuar një raketë kundër nesh. Po të mos ishte mbrojtja e NATO-s, çdo vend do të rrezikonte shumë më tepër dhe do të ishte shumë më i pambrojtur.

Trump dëshiron të nxjerrë SHBA-në nga NATO...

Nuk besoj dhe nuk mund ta bëjë këtë. Do t’i duhej vota e Kongresit dhe dyshoj se do të ishte pro. Por mundet të vendosë të tërheqë ushtarët amerikanë nga Evropa. Dhe kjo do të na bënte më të dobët, më pak të mbrojtur. Në këtë moment nuk jemi në gjendje të reagojmë të gjithë bashkë duke i zëvendësuar ata.

Pra sipas jush nuk mund të bëhet asgjë?

Sigurisht duhet dialog, aktivitet diplomatik. Trump e ka axhendën të diktuar nga dëshira për të fituar shpejt, edhe sepse do të duhet të përballet me zgjedhjet e nëntorit. Kjo luftë po vë në rrezik edhe Shtetet e Bashkuara në udhëheqjen e tyre botërore.

Dhjetë ditë më parë refuzuat përdorimin e bazës së Sigonellës nga SHBA-ja, por ka dyshime se në raste të tjera e keni lejuar. Do ta mohoni në parlament?

Do ta mohoj patjetër sepse nuk është e vërtetë. Por nuk besoj se ka dyshime, pasi nuk është një temë e menaxhuar nga politika, por nga ushtria. Ne kemi detyrimin t’i lëmë bazat hapur sepse këtë parashikojnë traktatet dhe sepse të gjitha qeveritë janë sjellë në të njëjtën mënyrë, por kemi rregulla. Janë marrëveshje që nuk i kemi nënshkruar ne. Nëse paraardhësve tanë nuk u pëlqenin, mund t’i anulonin ose të paktën t’i vinin në diskutim. Por kjo s’ka ndodhur.

Në fund të vizitës së saj në Gjirin Persik, kryeministrja Giorgia Meloni tha se Italia mund të mos ketë rezerva energjie të mjaftueshme. A ekziston një plan për emergjencën?

Udhëtimi i saj shërbeu për të na siguruar se jemi qendër e privilegjuar për rezervat e atyre shteteve që janë sovrane dhe fjala e të cilëve është garanci absolute.

A ka rrezik që gjithçka të bllokohet brenda një muaji?

Është skenari të cilit i druhemi më shumë. Sigurisht jo gjithçka, por shumëçka.

Dhe çfarë mendoni të bëni?

Hapësirat e manovrimit janë pashmangshmërisht të kufizuara, sidomos nëse nuk veprohet të gjithë bashkë. Ky është rasti për të dëshmuar se jemi në lartësinë e kohës pa u mjaftuar me zbatimin e burokracisë. Evropa duhet ta kuptojë. Sapo fola me kolegun tim japonez dhe me Ministrin e Mbrojtjes të Kuvajtit. Linja duhet të jetë e qartë: për të mbijetuar nuk duhet të jemi të bllokuar mbi rregullat burokratike të fiksuara në kohë rritjeje.

Po në Itali?

Qëndrimi im nuk buron nga rezultati i referendumit. Unë dua të jem i qartë: mazhoranca dhe opozita duhet të ulin armët, duhet të gjejmë momente kohezioni, të bashkëpunojmë për të përballuar një krizë që, siç thashë, nuk ka precedent.

Riformatim i qeverisë aktuale apo zgjedhje të parakohshme?

Qëndrueshmëri. Ne jemi të detyruar të rezistojmë sepse çdo gjë mund t’i lejojmë vetes në këtë moment, përveç një krize. Këtë do ta thosha kushdo që të ishte në qeveri. Për ne do të ishte më e lehtë dhe sigurisht shumë më komode të shkonim në zgjedhje të parakohshme. Por kemi detyrën të menaxhojmë krizën që buron nga lufta aktuale dhe prandaj duhet të rezistojmë./ Përshtati "Pamfleti" nga Nga “Corriere della Sera”

Lini një Përgjigje