
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po zhvillon një turne diplomatik në Lindjen e Mesme, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
Sakaq Hamasi këmbëngul në kërkesën e tij për "një armëpushim total dhe gjithëpërfshirës" dhe "përfundimin e agresionit".
Fraksioni islamik e bëri të ditur këtë në Telegram, duke konfirmuar se përgjigjen e tij ndaj propozimit të Parisit ia kishte dërguar Katarit dhe Egjiptit, "të trajtuar me qëllim pozitiv”.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka thënë se ofensiva do të shtrihet edhe në Rafah, në qytetin në kufi me Egjiptin, ku ndodhen më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës, që janë vendosur aty për t’i shpëtuar luftimeve. Ata jetojnë aty në kushte gjithnjë e më të mjerueshme.
Hamasi dhe Izraeli kanë mosmarrëveshje të hapura rreth elementëve kyç të një armëpushimi të mundshëm.
Egjipti, së bashku me Katarin, ku zoti Blinken do të ndalet më vonë të martën, janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit e cila potencialisht do të çonte në lirimin e më shumë pengjeve në këmbim të një armëpushimi disa javor në operacionet ushtarake izraelite.
Lini një Përgjigje