TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shkurt 2024, 21:30

Korrupsioni “shpartallon” PE, çereku i eurodeputetëve të përfshirë në të paktën një skandal!

Shkruar nga Muiris O’Cearbhaill
Korrupsioni “shpartallon” PE, çereku i eurodeputetëve
Parlamenti Europian

Në një analizë ndërkufitare të kryer me nismën e platformës investigative holandeze Follow the Money, në bashkëpunim me gazetarët e The Journal, Noteworthy dhe mbi 20 media të tjera evropiane (që përfaqësojnë gjithsej 22 shtete anëtare), u gërmua për të nxjerr sa më shumë “skelete në dollap”, për të përcaktuar kështu nivelin e integritetit të Parlamentit Evropian tashmë në largim....

Qindra ligjvënës të Parlamentit Evropian, kanë qenë të përfshirë në polemika publike apo e kanë shkelur ligjin gjatë jetës së tyre. Të dhënat e mbledhura nga The Journal, Noteworthy dhe partnerë të tjerë mediatikë zbulojnë se 25 për qind e eurodeputetëve në detyrë kanë qenë të përfshirë në një lloj sjelljeje të keqe në nivel kombëtar ose ndërkombëtar.

Nga analiza e bërë, rezulton gjithashtu se 23 prej tyre, ose 3 për qind, jnë dënuar nga një gjykatë me rezultate që variojnë nga dënimet dhe gjobat deri në burg. Në dhjetorin e vitit 2022, BE-ja u ekspozua ndaj skandalit korruptiv më të rëndë që kishte hasur ndonjëherë, kur zv/presidentja e Parlamentit Evropian, eurodeputetja greke, Eva Kaili dhe 4 persona të tjerë u arrestuan si të dyshuar për marrje ryshfeti nga Katari dhe Maroku.

Skandali që u bë i njohur si “Katargate”, e tronditi Evropën për shkak të nivelit të  korrupsionit. Pas dhjetëra kërkimesh, policia gjeti 900.000 euro para të gatshme. Rreth 720.000 euro u gjetën në një valixhe të mbushur me kartëmonedha 50 euroshe, së bashku me biberonin dhe pelenat për vajzën 21 muajshe të Kailit.

Hetimi mbi këtë rast vazhdon ende sot pas më shumë se një viti. Edhe pse të gjithë të pandehurit dhe vendet e huaja që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë mohojnë çdo akuzë, ky skandali ka të gjitha shenjat dalluese të një korrupsioni të hapur: dorëzimin e parave të gatshme tek politikanët për të blerë ndikimin e tyre.

Ky rast ngriti disa pyetje shqetësuese. Si mund të ndodhte një korrupsion i tillë në zemër të BE-së? A ishte ky vetëm një incident i izoluar, edhe pse shumë i rëndë, apo vetëm maja e ajsbergut? Në një analizë ndërkufitare të kryer me nismën e platformës investigative holandeze Follow the Money, në bashkëpunim me gazetarët e The Journal, Noteworthy dhe mbi 20 media të tjera evropiane (që përfaqësojnë gjithsej 22 shtete anëtare), u gërmua për të nxjerr sa më shumë “skelete në dollap”, për të përcaktuar kështu nivelin e integritetit të Parlamentit Evropian tashmë në largim.

Nga kjo analizë u zbuluan në total 253 skandale. Ne shqyrtuam skandalet e mëparshme dhe sjelljet e pahijshme të 704 eurodeputetëve, duke filluar nga koha para se të hynin për herë të parë në politik, deri në fund të këtij muaji. Sigurisht, rastet ndryshojnë në peshën që kanë.

Për shembull marrim rastin e skandalit relativisht të vogël të eurodeputetit estonez Jaak Madison, që u gjobit me 100 euro për shitjen e një telefoni të gjetur gjatë punës në një traget gati një dekadë më parë, në vend se ta dorëzonte atë tek kompania.

Në Irlandë, deputetët e pavarur Mick Wallace dhe Clare Daly u kritikuan nga parlamenti pasi ata refuzuan të tregonin vërtetimin se ishin vaksinuar ndaj Covid-19 kur hynë në godinën e parlamentit në Bruksel në vitin 2021. Megjithatë ka disa politikanë me precedentë të rëndë kriminalë si Lara Comi, eurodeputete e Forza Italia e cila u dënua në tetor të vitit të kaluar me 4 vjet e 2 muaj burg për zhvatjen e 500.000 eurove fonde shtetërore.

Ajo e apeloi vendimin dhe është ende në detyrë si deputete. Ndërkaq, ka disa eurodeputetë që i përkasin partisë ekstremiste të djathtë greke Agimi i Artë, ende nën hetim që kur u etiketua si një organizatë kriminale nga një gjykatë e Athinës në vitin 2020. Një nga liderët e partisë, eurodeputeti Ioannis Lagos, u dënua për drejtimin e një organizate kriminale në vitin 2021 dhe u dënua me 14 vjet burg.

Lagos është ende një ligjvënës aktiv i BE-së nga qelia e tij e burgut në Greqi, duke marrë pjesë në punimet e parlamentit përmes lidhjeve online me telefonon. Por përveç korrupsionit, ngacmimi seksual është një problem famëkeq në Bruksel. Ne zbuluam 46 raste në lidhje me 37 ligjvënës që bënë bujë në media për sjellje të dyshuara të pahijshme.

Nga 45 rastet e korrupsionit të mbledhura nga ky investigim i gjerë, dallohen dy lloje: favorizimi (si nepotizmi, miqësia dhe patronazhi) me 29 ngjarje, dhe ryshfeti i drejtpërdrejtë me 16 raste. “Katargate”, është më i bujshmi, por jo i vetmi skandal ku ligjvënësit e BE-së përvetësuan shuma të mëdha parash.

Eurodeputeti hungarez Tamás Deutsch është akuzuar për favorizim që kur u caktua në krye të delegacionit parlamentar evropian të partisë Fidesz të kryeministrit hungarez Viktor Órban.

Para afro 10 vitesh, ai dhe vëllai i tij morën drejtimin e klubin të futbollit MTK, që befas nisi të merrte si financim miliona euro nga fondet shtetërore.

Ndërkohë, eurodeputeti bullgar Sergei Stanishev u akuzua për korrupsion, pasi kompania PR e gruas së tij fitoi një kontratë 60.000 euro nga Parlamenti Evropian për një projekt për të promovuar zgjedhjet evropiane. Të dy i hodhën poshtë akuzat, por gruaja e Sanishev u tërhoq nga projekti dhe ktheu shumën që i ishte parapaguar prej gati 30 mijë eurosh.

Çështja e korrupsionit dhe e nënshtrimit ndaj ndikimit të huaj, po fiton terren në një Evropë multipolare dhe një botë të mbushur me konflikte e në prag të rikonfigurimit gjeopolitik. Ky problemi është kaq shumë i përhapur, sa Parlamenti Evropian ka marrë masa për të hartuar një “listë të zezë” me disa eurodeputetë, në mënyrë që këta të mos marrin pjesë në misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve.

Duke marrë parasysh pagat e larta dhe dietat e eurodeputetëve - grupi fiton rreth 8.000 € në muaj, pas taksave dhe mund të kërkojë gati 5.000 euro në shpenzime të përgjithshme - çdo çështje parash do ta lëkundë besimin e njerëzve te përfaqësuesit e tyre. Ekipi zbuloi në total 44 incidente mashtrimi dhe vjedhjesh.

Nick Aiossa, drejtor i Transparency International BE, tha se skema e përfitimeve shtesë të eurodeputetëve për shpenzimet e përgjithshme - që arrijnë në më shumë se 40 milionë euro në total në muaj për më shumë se 700 eurodeputetët - mund të shkaktojë lehtësisht abuzime.

Ai shtoi se nuk ka ndonjë mbikëqyrje apo menaxhim për këtë financimin.

Në një shembull shumë domethënës, partia franceze e ekstremit të djathtë Rassemblement National dyshohet se ka paraqiture të dhëna false punësimi mbi asistentët jo ekzistues të parlamentit duke keqpërdorur 6.8 milionë euro fonde publike. Ky rast pritet të gjykohet në Gjykatën Penale Franceze në nëntor të këtij viti. Aiossa thotë se Parlamenti Evropian është neglizhent ndaj abuzimeve me fondet shtesë.

“Mendoj se ka më shumë raste. Nëse shkel rregullat, nuk do të penalizohesh. Ekziston një prirje jo e shëndetshme për t'i parë këto raste vetëm si një parregullsi administrative financiare”- thekson ajo. Kur deputetët i shpenzojnë paratë për qëllime të pa deklaruara, PE bën një njoftim ndaj eurodeputetëve duke kërkuar kthimin e parave. Por nuk ndërmerr hapin e dytë:A është ky një mashtrim i qëllimshëm?”

“Follow the Money” zbuloi se midis viteve 2019-2022, gjithsej 108 eurodeputetë u detyruan të paguanin më shumë se 2 milionë euro në total, të cilat i kishin shpërdoruar ndihmësit e tyre. Kush janë këta eurodeputetë dhe cilat raste përmbajnë qëllime kriminale, mbetet kryesisht e fshehur pasi Parlamenti nuk komenton për çështje të tilla.

Në vitin 2021, eurodeputetit polak Ryszard Czarnecki iu kërkua nga parlamenti që të kthente paratë e udhëtimit me vlerë rreth 100.000 euro, pasi u zbulua se ai shtonte 340 km shtesë në letër sa herë që udhëtonte nga Brukseli në Poloni. Ndjekja penale kundër Czarneckit vazhdoi për më shumë se 4 vjet.

Por edhe kur një çështje hetohet nga mbikëqyrësi evropian i mashtrimit, OLAF, rekomandimet e tij nuk çojnë shpesh në mundësinë që prokurorët të dënojnë të dyshuarit. Aiossa i Transparency International BE, thotë: “Norma mesatare e padive sipas rekomandimeve të OLAF për prokurorët në 27 shtete anëtare është rreth 33 për qind.

Pra shumë e ulët, duke pasur parasysh se këto raste janë bazuar në muaj apo vite hetime”.

Një në pesë raste në bazën tonë të të dhënave janë të lidhura me eurodeputetë që nuk i përkasin asnjë grupi politik. Por të dhënat sugjerojnë se deputetët e krahut të djathtë dhe konservatorë kanë relativisht më shumë gjasa të përfshihen në sjellje të pahijshme, kur krahasohen me politikanë të tjerë kundërshtarë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Journal”

Lini një Përgjigje