
Pushtimi i plotë që nisi Rusia ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2022 sfidoi shumë nga gjërat që Perëndimi mendonte se i dinte mirë mbi Rusinë. Po si mund ta kuptojë bota më mirë Rusinë? Imagjinoni pak Rusinë e vitit 2030. A do t'i ngjajë ajo kleptokracisë së sotme perandorake? Do të jetë një demokraci e stilit perëndimor? Apo do të vazhdojë të ekzistojë Federata Ruse? Ja cilët janë 5 skenarët e mundshëm:
Skenari nr1: Rroftë Presidenti Putin
Pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022, dhe dështimeve të shumta që pësoi ushtria ruse, shumë analistë në Perëndim nxituan të parashikonin rënien e Putinit. Dhe kjo tezë mbështetet edhe nga historia. Për më tepër pushtimi i paprovokuar i Putinit është në shumë aspekte, gabimi më i madh gjeopolitik i Moskës në dekadat e fundit.
Megjithatë, në Kremlin vazhdon të dominojë statuskuoja. Putini vazhdon të ndjekë të njëjtat strategji prej gati çerek shekulli: burgosje ose internim të figurave të opozitës, zhdukje të mediave opozitare dhe grumbullim të më shumë levave të pushtetit për vetë Kremlinin.
Lëvizjet e tij drejt diktaturës së plotë, madje edhe totalitarizmit, vazhdojnë me shpejtësi. Duke përjashtuar ndonjë shqetësim shëndetësor të paparashikuar për Putinin, ky skenar është fatkeqësisht më i mundshmi nga 5 skenarët e marrë në shqyrtim. Strategjia e Putinit në Ukrainë është të presë që Perëndimi të lodhet dhe ta braktisë duke pasur parasysh perspektivën për zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA.
Ndaj Perëndimi duhet të qëndrojë i bashkuar dhe duhet të qëndrojë pranë Kievit, pavarësisht sesa kohë do të duhet. Alternativa do të ishte një precedent me pasoja shkatërruese për stabilitetin në Evropë, si dhe në nivel global. Dhe do të tregonte se një fuqi e armatosur me armë bërthamore mund të pushtojë, të shkatërrojë dhe të copëtojë me sukses fqinjët jo-bërthamorë.
Skenari nr.2: Ngjitja në pushtet e nacionalistëve
Në qershorin e vitit të kaluar, Putin u përball ndoshta me kërcënimin më të madh për pushtetin e tij. Të udhëhequr nga komandanti i grupit mercenar Wagner Yevgeny Prigozhin, mijëra trupa morën nën kontroll qytetin rus Rostov, përpara se të marshonin për qindra kilometra drejt Moskës.
Edhe pse nuk arritën dot në Kremlin, ai rebelim zbuloi se sa e dobët është në fakt baza e mbështetjes së Putinit. Sigurisht, Putin mbeti në pushtet, ndërsa Prigozhin vdiq në rrethana të dyshimta. Por nuk është e vështirë të imagjinohet një skenar në të cilin Putini, i dobësuar më tej nga dështimet e vazhdueshme në Ukrainë, mund të bjerë pre e një puci të organizuar këtë herë nga nacionalistët.
Duke pasur parasysh mungesën e burimeve në dispozicion të ushtrisë ruse, një regjim nacionalist në rritje, të paktën në një periudhë afatshkurtër, mund të preferojë ta ngrijë konfliktin në Ukrainë, ose ndoshta të tërhiqet nga disa sektorë të frontit. Gjithsesi duke pasur parasysh dështimin e Prigozhin - dhe pasojat e një dështimi të tillë - gjasat për një puç të tillë janë padyshim më të vogla nga sa ishin vetëm një vit më parë. Por nuk janë eliminuar plotësisht. Në mungesë të ngjarjeve të tjera të paparashikuara, ai mbetet në çdo moment skenari i dytë më i mundshëm.
Skenari nr.3: Rivendosja në krye e teknokratëve
Në një skenë që të kujton rrëzimin e Nikita Khrushchev në vitin 1964, një puç i brendshëm e largon Putinin nga pushteti. Duke e paraqitur ish-presidentin si një ri-vendosës të madhështisë ruse dhe një trashëgimtar të denjë të paraardhësve perandorakë, regjimi i ri i ofron atij një pension të qetë në pallatin e tij në Detin e Zi, duke u zotuar se nuk do ta ndjekë asnjëherë penalisht ish-in presidentin.
Shumë shpejt, regjimi i ri - i drejtuar nga një numër i vogël elitash teknokrate të stërvitura nga perëndimi - nis të zbatojë një sërë politikash post-Putin. Ata rivendosin kontaktet diplomatike me Uashingtonin, Londrën, Brukselin, madje edhe me Kievin. Zyrtarët e rinj shfuqizojnë politikat e mëparshme për zgjatjen e mandateve presidenciale, duke shpallur mbajtjen e zgjedhje të parakohshme brenda vitit.
Po ashtu lirojnë disa të burgosur politikë dhe politikanë të opozitës, edhe pse shmangin uljen e dënimit për Alexey Navalny. Me konfliktin e ngirë në Ukrainë, ata ofrojnë një zgjidhje të mundshme bazuar në parimin “tokë për paqe”: mbajtjen e Krimesë, por largimin e trupave ruse nga pjesa tjetër e Ukrainës, ndërsa do të anulojnë aneksimet e Putinit të shtatorit 2022.
Ndonëse një skenar i tillë nuk mund të hidhet poshtë tërësisht, nuk ka gjasa të ndodhë në një periudhë afatshkurtër, por gjasat për shfaqjen e një qeverie reformiste, teknokratike në Moskë rriten për në periudhën afatmesme.
Skenari nr.4: Rikthim tek Rusia demokratike
Në jehonën e lëvizjeve të ngjashme në vitet 1980 dhe fillimin e viteve 1990, pas një tjetër aventure ushtarake të dështuar në Afganistan, rusët shohin dështimin në Ukrainë dhe marshojnë sërish masivisht për ndryshim. Dhe jo vetëm në Moskë, por në Irkutsk dhe Vladivostok, në Tomsk dhe Arkhangelsk.
Në përgjithësi, protestat përqendrohen në tre elementë: dobësimi i kompetencave presidenciale dhe ndryshimin e kushtetutës së Rusisë për të rivendosur federalizmin dhe sovranitetin e rajoneve; heqjen dorë nga mbështetja e armatosur ndaj politikave separatiste
në Moldavi, Gjeorgji dhe veçanërisht Ukrainë; mbështetja e demokracisë në formën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në nivel lokal dhe kombëtar.
Ndërsa ky skenar nuk mund të hidhet tërësisht poshtë, për fat të keq nuk ka gjasa të ndodhë për një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, kjo duke pasur parasysh shkatërrimin e partive dhe lidershipit të opozitës ruse, si dhe mungesën e qartë të mbështetjes popullore në masë.
Skenari nr.5: Kaos dhe luftë civile
Ndoshta ky skenar ka qenë gjithnjë i pashmangshëm. Një vend që refuzon të njohë historinë e tij brutale perandorake, që refuzon të njohë rolin e tij si kolonizator, duke zhdukur dhe shkatërruar kombet përreth, do të zhytet gjithmonë në kaos. Një skenar i tillë e rinoi Rusinë në fundin e viteve 1910 dhe fillimin e viteve 1920.
Një situatë që çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990. Në fakt është një skenar që është gjithnjë e më i lehtë për t’u parashikuar, sidomos pasi vazhdojnë dështimet në luftën e Ukrainës dhe po ashtu rënia ekonomike në vend. Ndoshta në Çeçeni, një Ramzan Kadyrov gjithnjë e më i sëmurë vdes në detyrë dhe lufta e brendshme për një pasardhës çon në një luftë Rusi-Çeçeni. Tatarstani, Bashkortostani, Dagestani dhe Buryatia mund synojnë shkëputjen nga federata ruse. Një rezultat i tillë mund të merret në konsideratë në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë./ Marrë me shkurtime nga “Atlantic Council”
Shënim: Casey Michel, gazetar dhe drejtor i Programit të Luftës ndaj Kleptokracisë në Fondacionin e të Drejtave të Njeriut.
Lini një Përgjigje