
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit në Gaza duke lavdëruar partnerët e përfshirë gjatë fjalimeve nga Sharm el-Sheikh i Egjiptit, ndërsa paraqiti gjithashtu një vizion shprese për Lindjen e Mesme.
“Kjo është dita për të cilën njerëzit në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën kanë punuar, janë përpjekur, kanë shpresuar dhe janë lutur. Ata kanë bërë gjëra gjatë muajit të fundit që mendoj se ishin vërtet të paimagjinueshme. Askush nuk mendonte se kjo mund të ndodhte”, tha Trump.
Teksa Presidenti amerikan është tani në rrugën e kthimit për në Shtetet e Bashkuara, po ju paraqesim disa nga momentet kryesore nga fjalimi i tij sot.
-Urimi ndaj partnerëve
Ai kaloi një kohë të konsiderueshme duke falënderuar personalisht udhëheqës nga vende të tilla si Egjipti, Pakistani, Hungaria dhe Bashkimi Evropian.
“Dua të përgëzoj të gjithë ata që janë ulur në këto rreshta të parë dhe që qëndrojnë pas meje”, tha Trump.
-Planet për Gazën
Ai theksoi se tani do të ketë një diskutim për rindërtimin e Gazës për të cilën theksoi se shumë kombe të pasura kanë shprehur interes për të ndihmuar. Trump shtoi gjithashtu se rindërtimi i Gazës kërkon që ajo të çmilitarizohet dhe se një forcë e re policore civile e ndershme duhet të lejohet të krijojë një gjendje të sigurt për njerëzit në Gaza.
“Dhe për popullin e Gazës, fokusi tani duhet të jetë në rivendosjen e bazave të një jete të mirë. Do të kemi shumë para që do të vijnë në Gaza dhe shumë rindërtim e ndërtim. Shumë vende me pasuri, fuqi dhe dinjitet të madh kanë dalë përpara dhe kanë thënë se duan të ndihmojnë në rindërtimin e Gazës”, tha ai.
-Bordi i Paqes
Presidenti amerikan u ndal edhe te krijimi i Bordit Mbikëqyrës të Paqes, i cili është pjesë e planit të tij të armëpushimit. Plani kërkon që në Gaza të krijohet një qeveri e përkohshme kalimtare dhe të mbikëqyret nga një organ i ri ndërkombëtar kalimtar i quajtur Bordi i Paqes.
"Do t'ju fusim disa prej jush në Bordin e Paqes. Të gjithë duan të jenë në Bordin e Paqes", tha Trump.
-Pengjet izraelite
Trump përshkroi se si pa pengjet që ribashkoheshin me familjet e tyre.
"Niveli i dashurisë dhe pikëllimit. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Ishte e mahnitshme të shihje pengjet që ribashkoheshin me nënat dhe baballarët e tyre, të cilët nuk i kishin parë për një kohë kaq të gjatë”, përfundoi Trump.
Lini një Përgjigje