Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se vendi i tij vijon të ndërmarrë masa të forta kundër shkeljeve të hapësirës ajrore, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e forcimit të sigurisë kombëtare.
Në një video-mesazh me rastin e Fitër Bajramit, Erdogan u shpreh se Turqia vepron me kujdes dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve të saj, duke mbajtur një qëndrim të vendosur ndaj çdo veprimi që cenon hapësirën ajrore të vendit.
"Me vetëdijen se mbajmë përgjegjësinë e 86 milionë njerëzve, ne nuk e braktisim kurrë kujdesin dhe maturinë. Ndërsa mbajmë një qëndrim shumë të vendosur kundër veprimeve që shkelin hapësirën tonë ajrore, ne gjithashtu vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të forcuar paqen dhe sigurinë e kombit tonë", tha Erdogan.
Ai përcolli gjithashtu urimet për Bajramin, duke shpresuar që kjo festë të sjellë mirësi dhe bekime për Turqinë, botën islame dhe gjithë njerëzimin, ndërsa ndaloi edhe te situata në Lindjen e Mesme.
"Vëllezërit dhe motrat tona në Gaza po përpiqen të festojnë Bajramin e Ramazanit nën sulmet e Izraelit, të cilat shkelin rregullat e armëpushimit dhe bllokojnë ndihmën humanitare. Në pjesë të ndryshme të Palestinës, veçanërisht në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor si dhe në jug të Libanit, politikat e pushtimit dhe shkatërrimit vazhdojnë me intensitet të plotë", tha ai.
Sipas presidentit turk, përshkallëzimi i tensioneve është ndikuar edhe nga zhvillimet mes Iranit dhe vendeve të tjera, duke përfshirë sulmet dhe kundërpërgjigjet me raketa dhe dronë.
"Përballë kësaj pamjeje shqetësuese, me vetëdijen se mbajmë përgjegjësinë e 86 milionë njerëzve, nuk e braktisim kurrë kujdesin dhe maturinë", tha Erdogan duke shtuar se Turqia vazhdon të marrë masa të forta kundër shkeljeve të hapësirës ajrore dhe për të forcuar sigurinë kombëtare.
Duke folur për zhvillimet e brendshme, ai përmendi iniciativën “Turqia pa Terror”, duke theksuar se janë kapërcyer disa faza të rëndësishme, ndërsa situata në Sirinë veriore, sipas tij, është stabilizuar përmes pajtimit dhe ruajtjes së integritetit territorial.
"Me zgjidhjen e çështjes në Sirinë veriore përmes pajtimit, shqetësimet tona për sigurinë janë lehtësuar dhe integriteti territorial i Sirisë është ruajtur.
Qëllimi ynë është ta çojmë këtë proces të dobishëm që kemi filluar në një përfundim të sigurt, duke marrë parasysh skenarët e përgjakshëm që kërkohen të inskenohen në rajonin tonë", theksoi presidenti turk.
Në fund, Erdogan nënvizoi edhe performancën ekonomike të vendit, duke deklaruar se Turqia ka shënuar rritje prej 3.6% vitin e kaluar, duke u renditur ndër vendet me rritjen më të shpejtë në OECD për vitin 2025.
Lini një Përgjigje