Ukraina njoftoi se ka goditur pesë anije në Detin e Azovit dhe në ujërat bregdetare të territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, duke i akuzuar ato për transport të paligjshëm të grurit ukrainas, si dhe të ngarkesave ushtarake dhe karburantit.
Komandanti i forcave ukrainase të dronëve, Robert Brovdi, deklaroi se anijet vepronin me radarë të fikur dhe me emrat e mbuluar për të fshehur aktivitetin e tyre. Sipas tij, goditjet u kryen gjatë natës në portet e Mariupolit dhe Berdjanskut, si dhe në zonat detare të territoreve që Ukraina i konsideron të pushtuara përkohësisht.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit konfirmoi se pesë shtetas azerbajxhanas humbën jetën në sulmet ndaj dy prej anijeve të goditura. Autoritetet azerbajxhanase identifikuan dy mjetet lundruese si “Nastra” dhe “Circon”, por nuk specifikuan se kush ishte përgjegjës për sulmet. Brovdi nuk raportoi viktima në deklaratën e tij.
Ngjarjet ndodhën një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i propozoi presidentit rus Vladimir Putin zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta për përfundimin e luftës. Kreu i Kremlinit e refuzoi ofertën gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut.
Në një letër të hapur drejtuar Putinit, Zelensky argumentoi se paqja mund të arrihet vetëm përmes angazhimit të drejtpërdrejtë dhe kërkoi një armëpushim të plotë gjatë negociatave të mundshme. Kremlini konfirmoi marrjen e letrës, ndërsa Putin deklaroi se aktualisht nuk sheh arsye për t’u takuar me homologun e tij ukrainas.
Presidenti rus përsëriti qëndrimin e tij se Ukraina duhet të tërhiqet nga rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhias, si dhe të heqë dorë nga synimi për anëtarësim në NATO. Kievi e ka refuzuar vazhdimisht këtë kërkesë, duke argumentuar se dorëzimi i territoreve do të inkurajonte agresione të reja ruse.
Ndërkohë, Ukraina konfirmoi se një nga dronët e saj detarë shpërtheu të premten pranë portit rumun të Konstancës në Detin e Zi. Ministria rumune e Mbrojtjes bëri të ditur se droni u vetëshkatërrua pranë një terminali nafte pa shkaktuar viktima, megjithëse autoritetet raportuan dëme të konsiderueshme në një anije dhe në magazina.
Sipas zyrtarëve ukrainas, droni kishte dalë nga kursi për shkak të ndërhyrjeve elektronike ruse. Moska nuk ka komentuar ende mbi këtë pretendim.
Presidenti rumun Nicușor Dan e cilësoi incidentin si ngjarjen e dytë të rëndësishme të sigurisë gjatë kësaj jave, pas zbulimit të një mine detare në një plazh pranë fshatit Vama Veche. Vetëm një javë më parë, dy persona mbetën të plagosur kur një dron goditi një pallat banimi në qytetin Galati, afër kufirit me Ukrainën.
Në Ukrainë, autoritetet lokale raportuan se të paktën 13 persona janë vrarë dhe mbi 70 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit nga sulmet ruse. Katër viktima humbën jetën pas një sulmi me dron ndaj një fabrike qumështi pranë Kievit, ndërsa një grua 35-vjeçare u vra në një sulm me dron ndaj një pike karburanti në Kherson.
Lini një Përgjigje