Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka deklaruar para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se fati i luftës varet se si do sillet nesër Irani.
Trump bëri të ditur se Irani është një “pjesëmarrës aktiv dhe i gatshëm” në negociatat për t’i dhënë fund luftës.
“Nuk mund të flas për armëpushim, por mund t’ju them se kemi një pjesëmarrës aktiv dhe të gatshëm nga ana tjetër. Ata do të donin të arrinin një marrëveshje. Nuk mund të them më shumë se kaq”, u shpreh Trump.
Ai shtoi se kontaktet me ndërmjetësit për zgjidhjen e konfliktit janë në zhvillim dhe, sipas tij, “po shkojnë mirë”.
Presidenti theksoi se ekziston një afat kohor për ecurinë e negociatave, duke përmendur se pala tjetër ka kohë deri në orën 20:00 të ditës së ardhshme sipas kohës lindore të SHBA-së.
Trump konfirmoi gjithashtu përfshirjen e zëvendëspresidentit JD Vance, të dërguarit special Steve Witkoff dhe Jared Kushner në kontaktet me vendet ndërmjetëse lidhur me konfliktin në Iran.
"Në thelb ata kanë kohë deri në orën 8 nesër në mbrëmje, sipas kohës lindore, por ne po merremi me ta. Mendoj se po shkon mirë. Z. Witkoff është këtu dhe JD është i përfshirë në marrëveshje. Z. Witkoff është ulur këtu dhe mendoj se po shkon mirë, por do të duhet ta shohim", tha ai.
Sipas deklaratave të presidentit, procesi diplomatik mbetet në fazë aktive, ndërsa rezultati i negociatave mbetet ende i paqartë.
Trump tha gjatë fjalës së tij se populli iranian “duhet të ngrihet kundër regjimit”, duke shtuar se pasojat e një veprimi të tillë do të ishin “të shkëlqyera”.
Ai hodhi poshtë kritikat ndaj strategjisë së tij ndaj Iranit, duke theksuar se “gjithçka është menduar nga ne”.
I pyetur për ndikimin e mundshëm të shënjestrimit të infrastrukturës civile në Iran nga ana e SHBA-ve, ai u shpreh se qytetarët iranianë do të ishin “të gatshëm të vuanin për të pasur lirinë e tyre”.
Presidenti shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar “përgjime të shumta” që, sipas tij, tregojnë se ekziston një kërkesë nga brenda Iranit për sulme të mëtejshme kundër regjimit.
Lini një Përgjigje