Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve nga Shtëpia e Bardhë, ku ka mbrojtur qasjen e tij ndaj luftës me Iranin dhe ka lëshuar deklarata të forta për situatën në vend.
I pyetur se si do të reagonte nëse populli iranian do të ngrihej kundër regjimit, Trump u shpreh hapur në mbështetje të një skenari të tillë.
“Ata duhet ta bëjnë këtë,” tha ai, duke shtuar se pasojat do të ishin “të mëdha”.
Presidenti amerikan hodhi poshtë kritikat ndaj planit të tij ushtarak, duke theksuar se çdo veprim është menduar në detaje.
“Gjithçka është menduar nga ne,” deklaroi ai.
I pyetur për pasojat e mundshme të goditjeve ndaj infrastrukturës civile në Iran, Trump argumentoi se popullsia iraniane është e gatshme të përballojë vështirësi në këmbim të ndryshimit politik.
“Ata janë të gatshëm të vuajnë për të pasur lirinë,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë interceptuar komunikime që, sipas tij, tregojnë se qytetarë iranianë po kërkojnë vazhdimin e goditjeve ndaj regjimit.
Në lidhje me operacionin e shpëtimit të ushtarakëve amerikanë, Trump pranoi se jo të gjithë brenda ushtrisë ishin dakord me ndërhyrjen.
“Kishte njerëz në ushtri që thoshin se nuk duhet ta bësh këtë,” tha ai, duke paralajmëruar se rreziku për humbje të mëdha ishte real.
Megjithatë, ai theksoi se vendimi përfundimtar ishte i tij.
“Unë vendosa ta bëj,” deklaroi Trump, duke shtuar se, pavarësisht rrezikut, ai e konsideroi operacionin të justifikuar.
Deklaratat e tij pasqyrojnë një linjë të qartë të administratës amerikane: mbështetje për presion maksimal ndaj Iranit dhe gatishmëri për të marrë vendime me rrezik të lartë në terren.
Lini një Përgjigje