Spektakli në fushë, rekordet dhe paraqitjet mbresëlënëse të Lionel Mesit dhe yjeve të tjerë të futbollit kanë rritur entuziazmin e tifozëve për Botërorin 2026. Megjithatë, krahas atmosferës festive, ekspertët e sigurisë kibernetike dhe agjencitë që monitorojnë kërcënimet digjitale po ngrenë alarmin për një fenomen në rritje: përhapjen e përmbajtjeve të falsifikuara që lidhen me Kupën e Botës.
Sipas specialistëve, përdorimi masiv i Inteligjencës Artificiale ka bërë më të lehtë krijimin e lajmeve, fotove dhe videove të rreme, të cilat po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale dhe platforma të ndryshme online. Viktima të këtyre mashtrimeve nuk janë vetëm përdoruesit e internetit, por edhe tifozët që planifikojnë të ndjekin ndeshjet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Ndryshe nga Botërori i Katarit në vitin 2022, ku mashtrimet lidheshin kryesisht me faqe interneti të rreme dhe bileta të falsifikuara, ekspertët thonë se fenomeni është bërë edhe më i sofistikuar. Janë identifikuar portale mashtruese që imitojnë faqet zyrtare të shitjes së biletave, duke rritur rrezikun që tifozët të bien pre e skemave të mashtrimit.
Një tjetër shqetësim është numri i madh i fotove dhe videove të krijuara me Inteligjencë Artificiale, ku shfaqen futbollistë të njohur dhe tifozë në situata që nuk kanë ndodhur në të vërtetë.
Mes rasteve që kanë tërhequr më shumë vëmendje janë imazhi i manipuluar i një tifozi gjerman, i paraqitur si një sozi i Adolf Hitlerit, si edhe videoja e një influencereje nga Miami, e cila shfaqej në tribunat e stadiumit në mënyrë të tillë që të tërhiqte gjithë vëmendjen e publikut. Të dyja rastet rezultuan të ishin produkte të manipulimit digjital.
Ekspertët u bëjnë thirrje tifozëve të tregohen të kujdesshëm, të verifikojnë burimet e informacionit dhe të dallojnë përmbajtjet autentike nga ato të krijuara me inteligjencë artificiale, në mënyrë që të shmangin mashtrimet dhe dezinformimin gjatë Botërorit 2026.
Lini një Përgjigje