TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Qershor 2026, 21:08

Për të 27-ën herë, protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës: Nesër të gjithë në shesh!

Shkruar nga Pamfleti
Për të 27-ën herë, protestuesit marshojnë në
Nis marshimi

Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, ndërsa protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Pas përfundimit të fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke vijuar aksionin e tyre protestues për të 27-ën herë radhazi.

Qindra qytetarë, të mbledhur fillimisht përpara Kryeministrisë, nisën lëvizjen përgjatë bulevardeve kryesore të kryeqytetit, të shoqëruar nga flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë. Gjatë marshimit janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si "Dorëheqje Rama", "Poshtë diktatura" dhe "Revolucion, Shqipëri e re", ndërsa pjesëmarrësit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim politik.

Më herët, në podiumin e ngritur para Kryeministrisë mbajtën fjalën qytetarë nga zona të ndryshme të vendit, të cilët ndanë shqetësimet e tyre për situatën ekonomike, emigracionin, pensionet, shëndetësinë dhe zhvillimet politike në vend. Në mesin e folësve pati edhe ish-mbështetës të Partisë Socialiste, qytetarë të kthyer nga emigracioni, si edhe përfaqësues të profesioneve të ndryshme, të cilët bënë thirrje për vazhdimin e protestave.

Në marshim marrin pjesë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, mes tyre të rinj, pensionistë, familje dhe prindër të shoqëruar nga fëmijët e tyre. Gjatë tubimit është shpalosur edhe një banderolë me mbishkrimin "Çështja Çame kërkon veprim", ndërsa protestës i janë bashkuar edhe qytetarë të ardhur nga Kosova, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestuesit.

Sipas organizatorëve, protesta do të vijojë edhe ditën e shtunë me një mobilizim mbarëkombëtar, ku janë ftuar qytetarë nga i gjithë vendi të marrin pjesë.

Prej disa ditësh, kërkesat e artikuluara nga grupi koordinues janë dorëheqje e panegociueshme e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike 12 mujore dhe ndërhyrje të rëndësishme kushtetuese. Mes të tjerash, ata kanë kërkuar ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate. 

Për herë të parë në protestë u artikuluan sulme edhe ndaj Ramush Haradinajt dhe Ali Ahmetit, të cilët dolën në mbështetje të protestave. Ishte ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari i cili i sulmoi ndërsa për kryeministrin Edi Rama tha se nëse nuk do të dorëhiqet në mënyrë paqësore, do të përfundojë do të përfundojë si ish-udhëheqësi libian Muammar Gaddafi.

Protestuesit janë kujdesur t’i japin zë edhe çështjes çame përmes një pankarte me mbishkrimin “çështja çame kërkon veprim, jo fjalë”, ndërsa sot shënohet 82-vjetori i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.

nis marshimi protesta

Lini një Përgjigje