Bilanci i viktimave nga tërmeti shkatërrues që goditi Venezuelën ka arritur në 920 të vdekur, ndërsa mbi 3.360 persona kanë mbetur të plagosur, njoftuan autoritetet venezueliane.
Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, tha se të paktën 172 persona ndodhen ende nën rrënoja, ndërsa më shumë se 51 mijë të tjerë rezultojnë të zhdukur sipas platformës së krijuar për lokalizimin e tyre.
Sipas autoriteteve, rreth 3.000 persona kanë humbur banesat, ndërsa afro 1.400 ndërtesa janë dëmtuar, mes tyre 13 spitale dhe 25 qendra tregtare.
Mes rrënojave vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Një grua u nxor e gjallë pas 36 orësh nën ndërtesat e shembura, duke dhënë shpresë për familjet që presin ende lajme për të afërmit e tyre.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, konfirmoi se mes viktimave janë edhe tre shtetas italo-venezuelianë, pesë persona janë plagosur dhe 35 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Italia ka dërguar rreth 100 ekspertë të mbrojtjes civile, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore për të ndihmuar autoritetet vendase.
Ndihma ka mbërritur edhe nga Spanja, e cila ka dërguar ekipe të kërkim-shpëtimit, qen të trajnuar për gjetjen e të mbijetuarve, personel mjekësor dhe ndihma humanitare. Bashkimi Evropian ka aktivizuar gjithashtu mekanizmin e mbrojtjes civile për të koordinuar mbështetjen ndërkombëtare.
Ndërkohë, qeveria venezueliane ka urdhëruar militarizimin e shtetit La Guaira, një prej zonave më të goditura nga tërmeti, për të garantuar sigurinë dhe për të lehtësuar operacionet e emergjencës.
Tërmeti, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, është më i fuqishmi që ka goditur këtë pjesë të Venezuelës në më shumë se një shekull dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë garën me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë.
Lini një Përgjigje