TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Dhjetor 2025, 21:22

Donald Trump e ka futur veten në brutalizëm!

Shkruar nga Pamfleti
Donald Trump e ka futur veten në brutalizëm!
Departamenti i Strehimit dhe Zhvillimit Urban i SHBA-së

Trump i shpall luftë brutalizmit, arkitektura e pasluftës në SHBA në prag zhdukjeje

Marcel Breuer adhuronte betonin. Mjeshtëria e tij me këtë material e bëri të famshëm. Projekti i tij për godinën e Departamentit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban (HUD) në Washington DC hyri në Regjistrin Kombëtar të Monumenteve Historike jo aq për formën e çuditshme të ndërtesës, e cila ngjan me një trup pa kokë në pozicion të hapur, por sepse ishte ndërtesa e parë federale e ndërtuar me beton të parafabrikuar.

Sot, punonjësit që e përdorin këtë godinë nuk ndajnë të njëjtin entuziazëm: ata e quajnë “dhjetë kate bodrum”. Ankohen për mykun e zi, për tualetet dhe për ashensorë që nuk funksionojnë prej muajsh. “Mirë se vini në Club HUD,” thotë me sarkazëm një punonjës i lodhur.

Donald Trump e ka futur veten në brutalizëm!

Donald Trump ka pak dashuri për administratën publike, dhe akoma më pak për HUD-in, misioni i të cilit është të sigurojë strehim për njerëzit në nevojë. Por për sa i përket godinës së saj brutaliste (në foto më sipër dhe më poshtë), ai dhe punonjësit e saj bien dakord: pas gjysmë shekulli, ka ardhur koha për ta braktisur. Në fillim të vitit, administrata Trump njoftoi se do të shiste këtë ndërtesë bashkë me tre prona të tjera federale në kryeqytet, të menaxhuara nga Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), agjencia që mbikëqyr portofolin e pronave të qeverisë.

Por në dhjetor ndodhi një kthesë e papritur. Një ish-zyrtar i GSA-së deklaroi në gjykatë se plani i vërtetë i administratës Trump është shembja e ndërtesave, jo thjesht shitja e tyre. Qeveria e mohoi këtë, por aktivistët për ruajtjen e trashëgimisë kulturore ngritën alarmin. Ata, të befasuar nga shembja e papritur e krahut lindor të Shtëpisë së Bardhë, për të ndërtuar një sallon të ri festiv, druhen se Trump mund të anashkalojë rregullat e ruajtjes së monumenteve dhe konsultimet publike në DC, ashtu siç bëri me Shtëpinë e Bardhë. Veçanërisht shqetësues janë për ta disa murale të epokës së “New Deal” që ndodhen në një nga katër ndërtesat në fjalë. Sipas tyre, godina e HUD-it është simbol i arkitekturës brutaliste që frymëzoi linjën metro të qytetit dhe projekte të tjera monumentale publike.

Donald Trump e ka futur veten në brutalizëm!

Në rastin e shembjes së krahut lindor të Shtëpisë së Bardhë, opinionit publik nuk iu desh shumë kohë për të reaguar. Pamjet e buldozerëve qarkulluan për ditë në lajme dhe reitingu i presidentit pësoi rënie. Por në rastin e arkitekturës brutaliste, historia është më komplekse. Kjo rrymë, e njohur për strukturat e mëdha, të zhveshura në beton, ishte e përhapur në vitet ‘60 për shkak të kostos së lirë të materialeve, por është cilësuar shpesh si “arkitektura që publiku urren, ndërsa arkitektët e duan”. Ajo është përshkruar edhe si stil i “bunkerëve antiplumb”, “shëmtirë e qëllimshme”, “armike e jetës njerëzore” apo “burg neoklasik”. Në Washington, brutalizmi ka lënë gjurmë të mëdha, përfshirë edhe selinë e FBI-së, të cilën vetë burokrati që e aprovoi e quajti në vitin 1967: “gjëja më e frikshme që po ndërtohet në qytet”.

Trump ka ndaluar çdo projekt të ardhshëm federal që përmban elemente brutaliste. Adhuruesit e stilit e shohin këtë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të mirëqenies së pasluftës, pasi ndërtesat brutaliste simbolizojnë sipas tyre interesin kolektiv përpara atij individual, diçka thellësisht e papranueshme për filozofinë politike të Trumpit.

Për ironi, shumë pak flitet për faktin se këto ndërtesa janë në gjendje të mjerueshme, jo funksionale, dhe që rikonstruksioni i tyre kushton shumë më tepër sesa ndërtimi nga e para. Tregu i zyrave në Washington është ende në stanjacion që nga pandemia, ndaj marrja me qira e ambienteve të reja është më e leverdishme. Kongresi amerikan ngriti një bord reformash për ndërtesat publike, për të reduktuar portofolin federal për shkak të miliarda dollarëve në mirëmbajtje të papërmbushur dhe nivelit të ulët të shfrytëzimit të hapësirave. Siç shprehet Dan Mathews, anëtar i këtij bordi, nëse këto ndërtesa do të ishin pronë private, askush nuk do të merrte me qira ambiente në këtë gjendje.

Në të njëjtën kohë, komuniteti i pasurive të paluajtshme është entuziast për idenë e shembjes, jo thjesht të shitjes, pasi konvertimi kushton më shumë se ndërtimi i ri. Si HUD-i, edhe departamentet e energjisë dhe shëndetësisë ndodhen në godina brutaliste pranë Mall-it. Vetë zyrat konsiderohen "barrë", ndërsa vlera qëndron në tokë, sipas zhvilluesit Doug Firstenberg, i cili sheh jugperëndimin e DC-së si një zonë me potencial të lartë për qendra tregtare dhe rezidenca.

Zhvilluesi Richard Levy rrëfen se përballja me mbrojtësit e trashëgimisë kulturore është e lodhshme, por jo e pamundur. Ai kaloi tetë vjet në gjyq për të kthyer një ish-uzinë ngrohjeje të GSA-së në apartamente luksoze të markës Four Seasons në Georgetown. Ajo që i dha forcë gjatë procesit? Një citat nga I Ching i varur në murin e tij: “Këmbëngulja sjell përparim.”/ Përshtatur nga “The Economist”

shba trump brutalizmi

Lini një Përgjigje