TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Dhjetor 2025, 17:15

Publikohet videoja e shpërthimit pranë bankës në Selanik, dyshime për atentat

Shkruar nga Pamfleti
Publikohet videoja e shpërthimit pranë bankës në Selanik,
Foto nga vendi i ngjarjes

Një video tronditëse nga momenti i shpërthimit që ndodhi në orët e para të mëngjesit të Krishtlindjes në zonën e Evosmos në Selanik është bërë publike nga mediat greke. Pamjet e siguruara nga një kamerë sigurie tregojnë sekondën e saktë kur mjeti shpërthyes aktivizohet në kryqëzimin e rrugëve Karoli & Dimitriu me Salaminos, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që dëmtoi rëndë degën e bankës pranë, fasadat e ndërtesave përreth dhe shtatë automjete të parkuara.

Autoritetet greke kanë intensifikuar hetimet, ndërsa çështjen tashmë e ka marrë në dorë Njësia e Luftës kundër Krimit të Organizuar, për shkak të dyshimeve se kemi të bëjmë me një akt të mirëorganizuar, që mund të jetë i lidhur me rrethin e krimit të organizuar në Greqi.

Burimet e mediave greke pranë grupit të hetimit raportojnë se mekanizmi shpërthyes ishte i ndërtuar në mënyrë profesionale, ndërsa vendosja e tij ishte pjesë e një plani të mirëkalkuluar. Nuk përjashtohet mundësia që në këtë akt të kenë qenë të përfshirë persona me precedentë penalë.

Në qendër të vëmendjes së hetimeve është vendosur edhe ngjashmëria e madhe me një shpërthim tjetër që ndodhi në maj të këtij viti, gjithashtu përpara një dege të së njëjtës bankë, në rrugën Agiou Dimitriou në qendër të Selanikut. Në atë rast, një grua 39-vjeçare, e cila mbante mjetin shpërthyes, humbi jetën pas aktivizimit të bombës.

Për atë ngjarje, autoritetet kishin arrestuar një 36-vjeçar, në emër të të cilit ishte regjistruar një apartament Airbnb ku u gjetën sasi eksplozivi dhe detonatorë, si dhe një 42-vjeçar tjetër që dyshohet se kishte strehuar gruan në banesën e tij në zonën e Dendropotamos, në pjesën perëndimore të qytetit.

Hetimet janë në zhvillim të plotë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë ato që lidhen me rrjete kriminale të organizuara që mund të kenë lidhje me larje hesapesh, dërgim mesazhesh apo destabilizim të synuar ekonomik.

 

greqi shperthim banke

Lini një Përgjigje