Rreziku kryesor është një “përshkallëzim kaskadë”: luftimet në Gazë mund të ndezin kufirin verior; përplasja me Hezbollahun mund të çojë në konfrontim direkt me Iranin; dhe kjo mund të nxisë Huthit të bllokojnë Detin e Kuq apo të sulmojnë Izraelin.
Ndërsa një vit i trazuar po shkon drejt fundit, Lindja e Mesme po hyn në një periudhë tjetër tensioni të lartë strategjik. Në këtë situatë është përfshirë një rrjet kompleks lojtarësh: Izraeli, Irani, Libani, Iraku dhe Jemeni, së bashku me aktorë të armatosur jo shtetërorë, përfshirë Hezbollahun, Hamasin, Huthit dhe fraksione të shumta brenda Forcave të Mobilizimit Popullor të Irakut.
Askush nuk duhet ta ngatërrojë mozaikun e marrëveshjeve të përkohshme të armëpushimit në rajon me një parandalim apo paqe të qëndrueshme. Çështjet themelore mbeten të pazgjidhura dhe qëllimet e kundërshtarëve janë diametralisht të kundërta.
Ekziston ende një rrezik i lartë i rinisjes së konflikteve në shumë zona gjatë muajve në vijim. Ky rrezik nxitet nga tri dinamika kryesore: përpjekja e Iranit për të rindërtuar aftësitë strategjike të sulmit dhe parandalimit, refuzimi i vazhdueshëm i Hezbollahut dhe Hamasit për t’u çarmatosur, si dhe lidhja në rritje midis teatrove rajonale, nga Gaza dhe Libani jugor, deri në Irak dhe Detin e Kuq.
Afatet dhe tensionet kufitare
Udhëheqësit izraelitë kanë deklaruar publikisht se marrëveshjet diplomatike për stabilizimin e kufirit verior nuk mund të mbeten pa afat. Izraeli ka bërë të ditur se Libani ka kohë deri në fund të këtij viti për të treguar pajtueshmëri domethënëse me Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, veçanërisht sa i përket pranisë së armatosur të Hezbollahut në jug të lumit Litani.
Në mungesë të përparimit, zyrtarët izraelitë kanë sinjalizuar se mund të nisin një operacion të ri ushtarak. Po ashtu, Izraeli mund të përshkallëzojë situatën për të arritur qëllimin e tij: çarmatosjen e Hamasit dhe sigurimin që Irani të mos zotërojë raketa balistike apo kërcënim bërthamor.
Ajo që e dallon momentin aktual është shkalla në të cilën përshkallëzimi në një zonë mund të shkaktojë reagime zinxhir te të tjerat. Ndërkohë që Uashingtoni është i përqendruar te Karaibet dhe negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, politikë-bërësit amerikanë nuk duhet të neglizhojnë rrezikun e një krize të ripërtërirë në Lindjen e Mesme.
Irani dhe rindërtimi i parandalimit përmes “përfaqësuesve”
Strategjia rajonale e Iranit është mbështetur prej kohësh në një model parandalimi të ndërtuar rreth ndërmjetësve (milicive), sulmeve me rreze të gjatë dhe paqartësisë strategjike, në vend të përballjes së drejtpërdrejtë shtet-me-shtet.
Ky model synon të imponojë kosto mbi kundërshtarët duke e izoluar Iranin nga hakmarrja e drejtpërdrejtë. Sipas vlerësimeve të SHBA-së dhe OKB-së, Irani zotëron forcën raketore më të madhe në Lindjen e Mesme dhe vazhdon të investojë në baza nëntokësore dhe kapacitete prodhuese. Këto aftësi plotësohen nga grupe të armatosura në Liban, Gazë, Irak, Siri dhe Jemen.
Për Izraelin, kjo arkitekturë është një kërcënim ekzistencial. Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 ndryshoi rrënjësisht perceptimin e kërcënimit, duke dëshmuar se grupet e lidhura me Iranin mund të shkaktojnë goditje strategjike pa shkaktuar menjëherë një luftë rajonale. Izraeli e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë më Iranin të rivendosë një mjedis që mundëson sulme të tilla në të ardhmen.
Hezbollahu dhe dështimi i autoritetit shtetëror në Liban
Hezbollahu mbetet grupi më i aftë ushtarakisht i lidhur me Iranin. Vlerësohet se ai zotëron dhjetëra mijëra raketa, përfshirë sisteme precize që mund të godasin thellë në territorin izraelit. Rezoluta 1701 e OKB-së, e cila i dha fund luftës së vitit 2006, kërkon çarmatimin e grupeve jo shtetërore në jug të Libanit.
Megjithatë, dy dekada më vonë, Hezbollahu ka refuzuar çarmatimin. Qeveria dhe ushtria libaneze kanë pranuar, në heshtje ose hapur, se nuk kanë kapacitet apo konsensus të brendshëm për ta zbatuar këtë rezolutë me forcë. Ky realitet ka formësuar planifikimin izraelit.
Zyrtarët në Tel Aviv e shohin këtë jo vetëm si mungesë vullneti, por si paaftësi të shtetit libanez. Tensionet janë përkeqësuar pasi Irani vazhdon të furnizojë Hezbollahun me fonde dhe armë, duke sfiduar armëpushimin e brishtë të vitit 2024.
Gaza: Bllokimi i fazës së dytë
Në Gazë, Hamasi mbetet një aktor politik i armatosur, pavarësisht operacioneve ushtarake. Ai ka hedhur poshtë çarmatimin si kusht për armëpushim. Propozimi i SHBA-së për “fazën e dytë” parashikon kalimin në një qeverisje të qëndrueshme, por asnjë shtet arab apo forcë ndërkombëtare nuk ka marrë përsipër çarmatimin e Hamasit me forcë. Shtetet arabe nuk duan përballje të drejtpërdrejtë me Hamasin. Ky boshllëk e bën Izraelin skeptik se çdo marrëveshje e përkohshme mund të garantojë sigurinë afatgjatë, duke e parë de-përshkallëzimin pa çarmatim thjesht si një shtyrje të konfliktit vijues.
Rreziku i një përshkallëzimi kaskadë
Rreziku kryesor është një “përshkallëzim kaskadë”: luftimet në Gazë mund të ndezin kufirin verior; përplasja me Hezbollahun mund të çojë në konfrontim direkt me Iranin; dhe kjo mund të nxisë Huthit të bllokojnë Detin e Kuq apo të sulmojnë Izraelin.
Njëkohësisht, grupet në Irak mund të rrisin sulmet ndaj bazave amerikane. Këto skenarë nuk janë teorikë, por pasqyrojnë modele të përsëritura të dekadës së fundit, të cilat tani janë më të rrezikshme për shkak të afateve kohore të prera.
Ç’duhet të bëjë SHBA-ja
Politika e SHBA-së duhet të synojë arritjen e një gjendjeje ku siguria e Izraelit të jetë e garantuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ku aktorët rajonalë të ndërgjegjësohen se përshkallëzimi i mëtejshëm nuk sjell asnjë përfitim strategjik.
Kjo kërkon para së gjithash rivendosjen e parandalimit, duke u fokusuar te forcimi i mbrojtjes rajonale në vend të armëpushimeve të thjeshta e të përkohshme. Gjithashtu, është e domosdoshme që marrëveshjet në Gazë apo Liban të mbështeten në mekanizma realë zbatimi dhe çarmatimi, duke tejkaluar aspiratat e thjeshta diplomatike që shpesh mbeten në letër.
Për më tepër, menaxhimi i suksesshëm i krizave kërkon krijimin e kanaleve të sigurta të komunikimit për të shmangur çdo llogaritje të gabuar që mund të ndezë konfliktin.
Megjithëse rajoni nuk është ende në një luftë totale, hapësira për gabime është zvogëluar ndjeshëm. Prandaj parandalimi i një krize të shkallës së gjerë kërkon adresimin e strukturave që e bëjnë luftën të mundshme dhe jo thjesht shuarjen e zjarreve të momentit. /Përshtati “Pamfleti” nga “Atlantic Council”
Lini një Përgjigje