TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Dhjetor 2025, 14:45

Perëndimi është bërë i paqeverisshëm

Shkruar nga Rod Liddle
Perëndimi është bërë i paqeverisshëm
Perëndimi është bërë i paqeverisshëm

Prirja drejt mospëlqimit të udhëheqësve në Perëndim është përshpejtuar si kurrë më parë. Pakënaqësia nuk është vetëm me rendin e vjetër, por me vetë konceptin e rendit dhe idenë se dikush mund të guxojë të na qeverisë. Por kryesisht, kjo është një marrëzi masive e njerëzve, që nuk kanë përjetuar kurrë vështirësi apo tirani të vërtetë...

Sondazhi im i preferuar i kohëve të fundit ishte ai që tregoi se Donald Trump nuk pëlqehet nga më shumë se 90 për qind e danezëve. Kjo është një arritje e lavdishme, për të cilën ai duhet të jetë krenar dhe ndoshta të mburret herë pas here.

Ky ishte vlerësimi më i ulët për Trumpin në botë dhe mendoj se është shkaktuar pjesërisht nga vendosmëria e tij për ta shkëputur Groenlandën nga duart e këtyre skandinavëve hermetikë dhe të vetëkënaqur. Sipas këndvështrimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë, ata nuk kanë idenë se çfarë të bëjnë me të dhe i kanë keqmenaxhuar punët e saj prej dekadash.

Por popullariteti i Trumpit nuk ngjitet mbi 50 për qind askund në Evropën Perëndimore. Britanikët (së bashku me italianët) janë më pak armiqësorë ndaj tij, ndoshta sepse ndajmë të njëjtën sjellje të paqartë ndaj kontinentit tonë: si një vend që e kujton me dashuri, por në të njëjtën kohë distancohesh prej tij.

Vlerësimi i tij ka rënë edhe brenda SHBA-së. Zgjedhjet e mesit të mandatit po afrohen. Në vitin 2017, Trump theu rekordin për vlerësimin më të ulët të një presidenti pas një viti në detyrë dhe mund të jetë gati ta përsërisë atë rekord.

Megjithatë, as Joe Biden nuk pati rezultate shumë më të mira pas vitit të tij të parë. Ndoshta ata janë një dyshe unike dhe e tmerrshme; por në këtë rast, thelbi është shpejtësia me të cilën publiku u kthye kundër tyre. Në një moment, njerëzit ishin të lumtur të votonin për ta; në momentin tjetër, ishin të tërbuar.

Kështu lind pyetja: a ka të bëjë kjo me cilësitë e Trumpit apo Bidenit, apo më shumë me vetë publikun? Aktualisht, Trump po e humbet atë publik. Një populist që nuk është më popullor bëhet një personazh mjaft mjeran. Janë pikërisht të rinjtë ata që po e braktisin me shpejtësinë më të madhe.

Mos harroni, ishte mbështetja e tyre që e nxori fitues përballë Kamala Harris. Një shifër e papritur prej 43 për qind e të rinjve të moshës 18-29 vjeç votuan për Trump në zgjedhjet e vitit 2024, por kohët e fundit, vlerësimi i tyre për presidentin ka rënë në vetëm 10 për qind, sipas CNN.

Përse të rinjtë janë zhgënjyer kaq shumë? Disa vëzhgues sugjerojnë se agresioni ndaj Venezuelës (dhe si rrjedhojë edhe ndaj Kubës) i ka bërë të mendohen dy herë. Ose ndoshta çështja e errët “Epstein”. Apo mos vallë për shkak të shfaqjes së Zohran Mamdanit si një lloj tjetër populisti në Nju Jork?

Mendoj se kjo e fundit mund të ndikojë shumë, megjithëse nuk është shpjegimi i plotë. Po ashtu, Trump duket se ka humbur, të paktën përkohësisht, një pjesë të mirë të bazës së tij MAGA, e cila është e zemëruar nga lëshime si dhënia e 600.000 vizave për studentët kinezë dhe nga kostoja gjithnjë e më e lartë e jetesës.

E megjithatë, asnjë nga këto nuk e shpjegon plotësisht nivelin e zhgënjimit në sondazhe. Unë mendoj se përgjigjja nuk qëndron te politikanët, por te një ndryshim i madh tek vetë elektorati.

Sot jemi mësuar të dëgjojmë se votuesit janë “të paqëndrueshëm”, por kjo është më shumë sesa paqëndrueshmëri. I njëjti proces po ndodh në Britani dhe në Evropë. Në shtator, kryeministri britanik Keir Starmer regjistroi vlerësimin më të ulët në historinë e vendit.

Edhe unë nuk e pëlqej qeverinë e tij laburiste, e cila përmes paaftësisë po e dëmton ekonominë. Por nga kush e mori Starmer këtë rekord negativ? Nga paraardhësi i tij, Rishi Sunak, një konservator i moderuar dhe i sjellshëm. Sunak, nga ana tjetër, e mori “medaljen” nga Liz Truss, e cila qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë. Edhe ajo ia vodhi “kurorën” paraardhësit të saj, Boris Johnson.

U tha se fitorja e Keir Starmer në vitin 2024 u shkaktua nga një urrejtje e përhapur ndaj konservatorëve. Nuk do ta kundërshtoja këtë analizë, por është e jashtëzakonshme shpejtësi me të cilën elektorati filloi ta urrente Starmerin, madje që kur sapo e kishte votuar.

Ishte pothuajse e menjëhershme. Prirja drejt mospëlqimit të udhëheqësve në Perëndim është përshpejtuar si kurrë më parë. Në Francë, Emmanuel Macron urrehet pothuajse nga të gjithë. Në tetor, një sondazh tregoi se ai është presidenti më pak popullor i 50 viteve të fundit.

Ai ia mori këtë titull paraardhësit të tij, François Hollande. Në Gjermani, kancelari Friedrich Merz nuk pëlqehet nga 75 për qind e gjermanëve, edhe pse është në detyrë vetëm që prej majit të këtij viti. Para tij, Olaf Scholz ishte gjithashtu jashtëzakonisht jopopullor.

Mënyra e zakonshme për ta shpjeguar këtë, është fakti se ka dështuar konsensusi liberal i 70 viteve të fundit: njerëzit janë lodhur nga establishmenti, prandaj populistët po forcohen kudo, nga Evropa në SHBA. E vërteta është se ne në Perëndim jemi bërë të paqeverisshëm.

Të llastuar nga dekada paqeje dhe rritje e standardit të jetesës, votuesit duket se besojnë se mirëqenia u takon natyrshëm dhe se politikanët thjesht po ua prishin atë. Pakënaqësia nuk është vetëm me rendin e vjetër, por me vetë konceptin e rendit dhe idenë se dikush mund të guxojë të na qeverisë.

Kur nuk marrim gjithçka që duam, kemi një shpërthim zemërimi si ai i fëmijëve. Një pjesë e kësaj vjen nga lajmet 24-orëshe dhe mediat sociale, ku çdo gabim ekzagjerohet. Por kryesisht, kjo është një marrëzi masive e njerëzve, që nuk kanë përjetuar kurrë vështirësi apo tirani të vërtetë./Përshtati "Pamfleti", nga “The Spectator”

perëndimi është bërë i paqeverisshëm

Lini një Përgjigje