Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin Settimo Torinese, pranë Torinos në Itali, ku një burrë 47-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë të papritur, pasi është mbytur teksa konsumonte një copë panetone.
Viktima, Giovanni Lopez, ishte në banesën e prindërve të tij në rrugën Foglizzo, në zonën Borgo Nuovo, duke festuar me familjen. Sipas mediave italiane, ai është mbytur papritur me një copë të ëmbëlsirës, që i bllokoi rrugët e frymëmarrjes. Familjarët u përpoqën ta ndihmonin menjëherë dhe thirrën urgjencën në numrin 112.
Brenda pak minutash mbërritën ekipet mjekësore të 118-s nga Azienda Zero, por për fat të keq, mjekët nuk mundën të bënin asgjë për të shpëtuar jetën e tij. Vdekja e 47-vjeçarit u konstatua në vendngjarje. Në shtëpi mbërritën gjithashtu karabinierët e Settimo Torinese dhe një mjek ligjor i Asl To4 për kryerjen e verifikimeve të nevojshme.
Pas ekzaminimeve, shkaku i vdekjes është konfirmuar si mbytje aksidentale, pa pasur dyshime për faktorë të tjerë. Ngjarja ka tronditur familjen dhe komunitetin lokal, duke e kthyer një ditë feste në dhimbje të thellë.
Lini një Përgjigje