TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Dhjetor 2025, 17:00

Putin i dërgon urime Trump-it... por refuzon planin e paqes për Ukrainën!

Shkruar nga Pamfleti
Putin i dërgon urime Trump-it... por refuzon planin e paqes për
Vladimir Putin

Arsyeja kryesore pse Rusia ndihet në pozita të forta për të refuzuar çdo marrëveshje është bindja se mund të përfitojë më shumë duke vazhduar luftën, pavarësisht kostove të mëdha ekonomike dhe njerëzore.

As në natën e Krishtlindjes nuk ndaloi agresioni rus në Ukrainë. Bombardimet mbi civilët vazhduan, duke treguar qartë se Kremlini nuk ka ndërmend të heqë dorë nga lufta, përkundrazi, po përgatit terrenin për një vit 2026 edhe më të ashpër. Në këtë sfond, zëdhënësi i presidentit rus, Dmitri Peskov, konfirmoi se Vladimir Putin ka dërguar një telegram urimi për Donald Trump, por gjithashtu theksoi se “nuk ka asnjë përmirësim në horizont” sa i përket bisedimeve për paqe në Ukrainë.

Pas takimeve jozyrtare në Miami mes emisarit rus Kirill Dmitriev dhe bashkëpunëtorëve të afërt të Trumpit – përfshirë edhe dhëndrin e tij, Jared Kushner, Kremlini thotë se është ende duke analizuar informacionet përpara se të marrë një vendim për rrjedhën e mëtejshme të komunikimit me SHBA-të. Një qëndrim që për shumë analistë tregon për një përpjekje të koordinuar të Moskës për të testuar pozicionet amerikane, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2026 në SHBA.

Ndërkohë, Moska ka mohuar me forcë raportimet e Bloomberg se Kremlini ka kërkuar ndryshime në planin amerikan për t’i dhënë fund luftës. Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, i cilësoi ato si “fake news” përmes një mesazhi në Telegram.

Megjithatë, edhe The New York Times sugjeron se Rusia po përgatitet të refuzojë versionin e fundit të planit të paqes, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e paraqiti në prag të Krishtlindjes. Në këtë version të ri, Zelensky tregohet më fleksibël: ai shprehet i gatshëm të tërheqë forcat ukrainase nga pjesët e Donbasit që ende kontrollon, nëse Rusia do të bëjë të njëjtën gjë dhe të lejojë krijimin e një zone të demilitarizuar.

Por ky kompromis nuk pritet të pranohet nga Kremlini, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar aneksimin e plotë të Donbasit dhe ka përjashtuar çdo tërheqje, qoftë edhe simbolike, nga territoret e pushtuara pas nisjes së agresionit në vitin 2022. Për më tepër, Moska duket e inkurajuar nga përparimet e saj të fundit në terren – këtë javë ajo ka marrë nën kontroll një tjetër fshat në rajonin e Donetskut, Sviato-Pokrovskoe.

Sipas “New York Times”, arsyeja kryesore pse Rusia ndihet në pozita të forta për të refuzuar çdo marrëveshje është bindja se mund të përfitojë më shumë duke vazhduar luftën, pavarësisht kostove të mëdha ekonomike dhe njerëzore. Ekonomia ruse është në gjendjen më të dobët që prej vitit 2022, me norma interesi rekord dhe rënie të thellë të rritjes, por nuk ka hyrë ende në një krizë aq të rëndë sa ta detyrojë Kremlinin të tërhiqet.

Për momentin, Rusia kontrollon rreth 75% të rajonit të Donetskut dhe, me ritmin aktual të përparimit, i duhen rreth 18 muaj për të pushtuar të gjithë territorin.

Por nëse lufta vazhdon, pse Moska ende “negocion”? Sipas ekspertëve perëndimorë, qëllimi i vërtetë i këtyre kontakteve është të ruhet një kanal minimal komunikimi me Shtetet e Bashkuara dhe të shmanget izolimi total diplomatik. Për më tepër, Kremlini kërkon të evitojë çdo paketë të re sanksionesh, si ato të shpallura në tetor nga Trump ndaj gjigantëve energjetikë rusë Rosneft dhe Lukoil, që detyruan Moskën të shesë naftën me çmime shumë më të ulëta.

Së fundmi, shtyrja e negociatave dhe mbajtja pezull e çdo plani paqeje i shërben edhe një tjetër qëllimi strategjik rus: thellimi i përçarjes mes Ukrainës dhe aleatëve të saj perëndimorë. Duke e shtyrë paqen në një fushë “me kushte të pamundura”, Moska teston vullnetin politik të Perëndimit dhe synon të nxisë përçarje në mbështetjen për Kievin.

“Putin nuk ka asnjë qëllim të ndalë luftën dhe nuk është gati për asnjë kompromis, qoftë edhe minimal,” shprehet analisti ukrainas Volodymyr Fesenko në një postim në Facebook. “Për Kremlinin, diskutimi i planit të paqes të Trump është thjesht një lojë taktike me SHBA-në për të ruajtur marrëdhënie të menaxhueshme me presidentin aktual amerikan, duke provokuar njëkohësisht tensione mes Uashingtonit dhe Kievit.”

Në këtë kontekst, duket e qartë se Kremlini nuk po kërkon një zgjidhje të afërt, por po luan një lojë të gjatë, ku paqja përdoret si mjet presioni diplomatik, ndërsa realiteti i terrenit është ai i bombave dhe pushtimit. Vitin 2026, Vladimir Putin e pret me llogari të ftohta, jo me plane për kompromis. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”

putin shba trump

Lini një Përgjigje