
Të frymëzuar pjesërisht nga propaganda shtetërore, shumë njerëz në Rusi kanë zhvilluar një identitet të fortë anti-perëndimor. Ata janë bindur se Perëndimi kërkon shkatërrimin e Rusisë, prandaj mbështetja ndaj shtetit shihet si një detyrë patriotike...
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia e re u përball me sfidën komplekse të krijimit të një identiteti kombëtar që do të pajtonte kontradiktat radikale të së kaluarës me synim integrim në Perëndim, duke ruajtur njëkohësisht veçantinë ruse. Por lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimet publike, duke çuar në një konsolidim të popullsisë rreth një sërë idesh kombëtare.
Ky unitet, ka kontribuar në qëndrueshmërinë e Rusisë në luftë dhe i ka zbehur shpresat perëndimore, se presioni ekonomik apo viktimat e shumta do të minonin mbështetjen për presidentin Vladimir Putin. Nisur nga provat e deritanishme, ka pak gjasa që këto qëllime të Perëndimit të arrihen në të ardhmen e afërt.
Evolucioni i identitetit: Nga Jelcini tek Putini
Presidenti i parë post-sovjetik, Boris Jelcin, kërkoi një ndarje radikale nga komunizmi, duke e bazuar sundimin e tij në mohimin e së kaluarës. Kjo e la Rusinë me një ndjenjë “identiteti negativ”. Me marrjen e detyrës, Vladimir Putin paraqiti një vizion më pozitiv, të fokusuar në integrimin me Perëndimin (sipas kushteve ruse dhe ruajtjes së pavarësisë).
Por ky projekt dështoi përballë dallimeve të papajtueshme. Që atëherë, shteti është përpjekur të artikulojë një koncept koherent të veçantësisë ruse. Vetëm Lufta e Dytë Botërore, doli si unifikues i suksesshëm, duke u shndërruar në një narrativë me një nderim pothuajse fetar nën udhëheqjen aktuale.
Transformimi pas 4 vite luftë
Në fillim, lufta në Ukrainë u prit me konfuzion dhe mosbesim nga publiku rus. Megjithatë, pas pothuajse 4 viteve konflikt, situata ka ndryshuar. Të nxitur nga propaganda, shumë rusë ndjejnë krenari që vendi i tyre mbijetoi përballë sanksioneve dhe armiqësisë perëndimore.
Kjo ndjenjë është ushqyer edhe nga perceptimi i “përbuzjes” perëndimore ndaj kulturës ruse, temë kjo që citohet me zell nga mediat shtetërore. Sot, patriotizmi është në rritje: rekrutimi ushtarak vazhdon pa ndërprerje (i nxitur edhe nga pagat e larta) dhe lëvizjet vullnetare për ndihmë ndaj ushtrisë janë aktive. Të flasësh kundër rrymës në Rusi, konsiderohet tashmë jo vetëm e rrezikshme, por edhe shoqërisht e papranueshme.
Lufta si “mbrojtje” dhe blloku anti-perëndimor
Pavarësisht se ishte Rusia ajo që pushtoi Ukrainën, shumë rusë e shohin luftën si mbrojtëse dhe të pashmangshme. Perceptimi i një kërcënimi të jashtëm e ka bashkuar kombin, duke e bërë anti-perëndimorizmin një normë të përhapur.
Shumë qytetarë janë bindur se Perëndimi kërkon shkatërrimin e Rusisë, prandaj mbështetja ndaj shtetit shihet si një detyrë patriotike, edhe në rastet kur ai dështon (siç ndodhi me inkursionin ukrainas në Kursk).
Dinamizmi ekonomik dhe “Rilindja” kulturore
Identiteti i ri rus nuk bazohet vetëm te lufta, por edhe te qëndrueshmëria ekonomike. Pavarësisht inflacionit, ekziston një optimizëm për të ardhmen dhe një hov teknologjik i stimuluar nga nevoja ushtarake. Në sferën kulturore, Rusia po përjeton një lloj “vetëmjaftueshmërie”.
Anulimi i kulturës ruse në Perëndim i ka detyruar rusët që të kthehen nga burimet e brendshme. Turizmi vendas ka lulëzuar, ndërsa ikja e figurave të famshme si Alla Pugaçeva apo Çulpan Kamatova, ndonëse fillimisht shqetësuese, i ka lënë hapësirë artistëve të rinj patriotë siç është edhe “Shaman”. Gjendja e vështirë e artistëve emigrantë në Perëndim, shërben tashmë si material talljeje në atdhe.
Një komb më kompakt
Rusia e ka paraqitur veten si “Evropa e vërtetë”, si mbrojtëse e vlerave tradicionale të shekullit XX-të, duke refuzuar ideologjitë moderne perëndimore. Kjo narrativë, tërheq edhe rusët liberalë, të cilët ndjejnë kënaqësi që Rusia nuk ka më nevojë që t’i nënshtrohet kulturalisht Perëndimit.
Sot, Rusia është një vend i ndryshëm nga ajo e vitit 2022: më koheziv, më i mbyllur dhe më i vendosur për të vazhduar në rrugën e saj. Në planin afatshkurtër, kjo do të thotë se gatishmëria e publikut për të mbështetur luftën mbetet e palëkundur./Përshtati "Pamfleti" nga “Responsible Statecraft”
Lini një Përgjigje