Deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në mesazhin e tij të Krishtlindjes kanë shkaktuar reagim të fortë në Moskë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi komentet e Zelenskyt si “të papërshtatshme dhe shqetësuese”, duke ngritur dyshime për aftësinë e tij për të marrë vendime që çojnë drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Ukrainë. Në fjalimin e tij, Zelensky u shpreh se “të gjithë kemi një ëndërr: të vdesë”, duke iu referuar pa përmendur emër Vladimir Putinit.
Ndërkohë, Rusia ka konfirmuar se ka pasur komunikime me bashkëpunëtorë të afërt të Donald Trump në SHBA, por Peskov sqaroi se “asnjë zgjidhje për luftën nuk është në horizont”. Po ashtu, ministria e Jashtme ruse ka mohuar raportimet e Bloomberg se Kremlini ka kërkuar ndryshime në planin amerikan për paqe, ndërkohë që sipas New York Times, Moska pritet ta refuzojë versionin e fundit të paraqitur nga Zelensky, që parashikon krijimin e një zone të demilitarizuar në Donbas.
Sipas analistëve, Rusia ruan formalisht tryezën e bisedimeve për të shmangur përgjegjësinë ndërkombëtare dhe për të frenuar sanksione të reja ekonomike. Por qëllimi real është të thellohet përçarja mes Kievit dhe aleatëve të tij perëndimorë.
Në mesazhin e tij për Krishtlindje, Zelensky theksoi se, pavarësisht vuajtjeve, Rusia “nuk mund të pushtojë atë që ka më shumë rëndësi për ne: zemrën dhe unitetin ukrainas”. Ai shtoi se të gjithë ukrainasit ndajnë një ëndërr për paqe, ndërsa falënderoi ushtarët në vijën e parë dhe u lut për kthimin e të zhdukurve dhe të zhvendosurve nga lufta.
Ukraina këtë vit për të tretën herë radhazi festoi Krishtlindjen më 25 dhjetor, sipas kalendarit perëndimor, duke u distancuar përfundimisht nga tradita e Kishës Ortodokse Ruse që feston më 7 janar.
Lini një Përgjigje