TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Janar 2026, 22:38

Diskutimet për paqe, Zelensky: Dokumenti i garancive të sigurisë nga SHBA-ja është gati

Shkruar nga Pamfleti
Diskutimet për paqe, Zelensky: Dokumenti i garancive të sigurisë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se dokumenti i Shteteve të Bashkuara mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën është plotësisht i përgatitur dhe se Kievi po pret vetëm konfirmimin e datës dhe vendit për nënshkrimin e tij.

Deklarata u bë të dielën gjatë një konference për shtyp në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë, ku Zelensky foli edhe për përparimin e kufizuar të bisedimeve të fundit me Rusinë, të zhvilluara në Abu Dhabi me ndërmjetësimin e SHBA-së, raportojnë mediat e huaja.

“Për ne, garancitë e sigurisë janë mbi të gjitha garanci nga Shtetet e Bashkuara. Dokumenti është 100% gati dhe ne po presim që partnerët tanë të konfirmojnë datën dhe vendin e nënshkrimit”, u shpreh Zelensky.

Ai shtoi se pas nënshkrimit, dokumenti do t’i dërgohet për ratifikim Kongresit të SHBA-së dhe parlamentit ukrainas.

Të premten dhe të shtunën, negociatorët ukrainas dhe rusë zhvilluan në Abu Dhabi takimin e parë trepalësh, ku morën pjesë edhe përfaqësues amerikanë, me synimin për të diskutuar planin e Uashingtonit me 20 pika për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e saj të katërt. Megjithatë, bisedimet nuk prodhuan një marrëveshje konkrete.

Pavarësisht kësaj, të dyja palët u shprehën të hapura për vazhdimin e dialogut, ndërsa një zyrtar amerikan bëri të ditur se pritet një raund i ri bisedimesh të dielën e ardhshme, sërish në Abu Dhabi.

Po diskutohet plani amerikan dhe çështjet problematike. Kishte shumë pika të vështira, por tani janë më pak”, tha Zelensky.

Sipas tij, Rusia po përpiqet që Ukraina të heqë dorë nga rajonet lindore që Moska nuk ka arritur t’i pushtojë që nga nisja e pushtimit të plotë. Megjithatë, presidenti ukrainas theksoi se Kievi nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij për ruajtjen e integritetit territorial të vendit.

Këto janë dy qëndrime thelbësisht të ndryshme, ai i Ukrainës dhe ai i Rusisë. Amerikanët po përpiqen të gjejnë një kompromis”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se të gjitha palët duhet të jenë të gatshme për kompromis.

zelensky shba garancitë

Lini një Përgjigje