TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Janar 2026, 18:47

‘Sherr’ mes presidentit dhe kryeministrit izraelit, Netanyahu nuk lejoi Herzogun të firmoste kartën e Bordit të Paqes në Davos!

Shkruar nga Pamfleti
‘Sherr’ mes presidentit dhe kryeministrit izraelit, Netanyahu nuk
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti Isaac Herzog

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka penguar Presidentin Isaac Herzog që të merrte pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes në Davos të Zvicrës.

Sipas kanalit televiziv, Channel 12 të Izraelit, Shtëpia e Bardhë i dërgoi Netanyahut një ftesë ku thuhej se kryeministri, presidenti ose një përfaqësues tjetër mund të merrnin pjesë në ceremoni. Netanyahu nuk mundi të udhëtonte vetë në Davos për shkak të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për përfshirje në krime lufte në Rripin e Gazës.

Kanali 12 zbuloi se përfaqësuesit e administratës së Uashingtonit i ishin drejtuar Izraelit dy herë, duke shpresuar të shihnin Presidentin Isaac Herzog në ceremoninë e nënshkrimit në mungesë të Netanyahut. Tensionet u rritën gjatë diskutimeve, me Netanyahun që këmbënguli se ftesa nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump i ishte drejtuar atij personalisht. Në fund, ai bllokoi pjesëmarrjen e Herzog në ceremoni.

Si pasojë, Izraeli nuk u përfaqësua fare në ceremoninë e nënshkrimit të kartës së Bordit të Paqes, misioni i parë i të cilit është zgjidhja e konfliktit në Rripin e Gazës dhe rindërtimi i kësaj enklave palestineze pas luftës. Sipas Channel 12, kjo situatë ka "krijuar tension" midis zyrave të kryeministrit dhe presidentit në Izrael, si dhe midis zyrës së Netanyahut dhe Shtëpisë së Bardhë.

Më 22 janar, përfaqësuesit e 19 vendeve nënshkruan kartën e Bordit të Paqes, të krijuar si pjesë e marrëveshjes së paqes në Rripin e Gazës, në margjinat e Forumit të Davosit. Trump tha se edhe shtete të tjera i ishin bashkuar organizatës. Bordi i Paqes u formua për të qeverisur Gazën, por pritet gjithashtu të përfshihet në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve në rajone të tjera.

netanyahu herzog izrael

Lini një Përgjigje