TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Janar 2026, 17:06

Protestat në Iran, shkon në 30 mijë numri i viktimave; vijon ndërprerja e internetit dhe linjave telefonike

Shkruar nga Pamfleti

Protestat në Iran, shkon në 30 mijë numri i viktimave; vijon

Ndërprerja mbarëkombëtare e internetit në Iran vijon, ndërkohë që numri i raportuar i viktimave nga protestat e fundit rritet dhe ka kaluar shifrën prej 30.000.

Mbikëqyrësi i të drejtave digjitale, NetBlocks, tha se janë bërë 400 orë pre kur u ndërpre interneti në Iran, duke shtuar se “rritje të shkurtra të lidhjes me rrjet” mund ta krijojnë një përshtypje të rreme për rikthim më të gjerë të internetit. Sipas saj, mjetet si VPN-të kanë mundësuar komunikim të kufizuar në internet.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se ndërprerja e internetit e ka bërë shumë të vështirë për protestuesit që të organizohen dhe ka kufizuar rrjedhën e informacionit, duke e bërë të vështirë verifikimin e viktimave në mënyrë të pavarur.

Organizata për të drejtat e njeriut me seli në SHBA, HRANA, thotë se numri i konfirmuar i të vdekurve tani është 5.459, ndërsa numri i viktimave ende nën hetim është 17.031.

Megjithatë, një raport i publikuar nga revista “Time” thotë se numri i viktimave në protestat në Iran mund të kalojë 30.000, sipas dy zyrtarëve të lartë iranianë të Shëndetësisë me të cilët ajo ka folur.

Raporti, i publikuar më 25 janar, tregon se shumica e vdekjeve kanë ndodhur më 8–9 janar, kur goditja e qeverisë ndaj protestave mbarëkombëtare arriti kulmin. Për shkak të censurës së madhe dhe ndërprerjes së zgjatur të internetit, shifrat e raportuara për viktimat e protestave nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Shifrat e raportuara nga “Time” bien ndjeshëm ndesh me numrin zyrtar të viktimave prej 3.117 të shpallur nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit, por përputhen më shumë me vlerësimet ndërkombëtare.

Kombet e Bashkuara kanë sugjeruar një numër dukshëm më të lartë viktimash dhe Mai Sato, raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran, tha më 22 janar se numri i civilëve të vrarë mund të kalojë 20.000. Gjithashtu janë bërë publike detaje shtesë mbi numrin e protestuesve të lënduar gjatë shtypjes.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, ISNA raportoi se Qasem Fakhrayi, drejtori i Spitalit Farabi në Teheran, tha se numri i pacientëve me dëmtime në sy nga plumbat e gomës u rrit në rreth 1.000 më 9 janar, krahasuar me rreth 55 raste në ditët paraprake. Gati 200 persona të lënduar u transferuan në spitale të tjera për shkak të mungesës së kapaciteteve.

Maryam Sabbaghi, kryeinfermierja e spitalit, njoftoi se të gjitha shtretërit ishin të zënë, barela u huazuan nga një institucion tjetër dhe pacientët u vendosën në korridore. Ndikimi ekonomik i ndërprerjes së internetit është rritur gjithashtu.

Majidreza Hariri, kreu i Dhomës së Tregtisë Iran–Kinë, tha se tregtarëve u është lejuar të kenë qasje në internet vetëm 20 minuta në ditë nën mbikëqyrje zyrtare, një nivel që, sipas tij, është i pamjaftueshëm për zhvillimin e biznesit.

Ali Hakim-Javadi, kreu i Organizatës së Tregtisë së Kompjuterëve të Iranit, tha se ndërprerja po shkakton humbje ditore prej 20–30 trilionë rialësh (18–28 milionë dollarë me kursin aktual të tregut të lirë).

Ndërkohë, Këshilli Koordinues i Shoqatave të Sindikatave të Mësuesve ka publikuar emrat e më shumë se 40 studentëve që, sipas tij, janë vrarë gjatë shtypjes, duke cituar informacion të marrë nga burime të besueshme. Organizata ombrellë e sindikatave të pavarura të mësuesve në Iran thotë se lista do të përditësohet gradualisht.

Dhuna ka nxitur kritika edhe nga një klerik i lartë sunit brenda Iranit. Molavi Abdolhamid Esmailzehi, imam i faljes së xhumasë në Zahedan, i quajti vrasjet “masakër sistematike”.

“Kjo tragjedi ka krijuar një përçarje të thellë dhe të pariparueshme midis popullit të Iranit dhe qeverisë”, tha ai.

Lini një Përgjigje