
Shtetet e Bashkuara janë përfshirë nga një valë e motit ekstrem dimëror që ka goditur pjesë të mëdha të vendit gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike, ndërprerje të trafikut ajror, temperatura të rëna nën zero dhe një numër të konsiderueshëm vështirësish për miliona banorë.
Winter Storm Fern, një stuhi dimërore e përshkruar nga zyrtarët si “historike”, ka shtrirë ndikimin e saj nga regjionet jugore dhe qendrore deri në veri dhe në bregun lindor të vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt mbi më shumë se 200 milionë njerëz në dhjetëra shtete të ndryshme.

Një nga pasojat më të dukshme të këtij fenomeni është ndarja masive nga rrjeti i energjisë elektrike. Mbi 700,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike, me shtete si Tennessee, Texas, Mississippi dhe Louisiana veçanërisht të prekur. Zyrtarët paralajmërojnë se rikthimi i rrymës mund të kërkojë ditë, për shkak të akullit dhe borës që mbajnë linjat e tensionit të ngarkuara dhe të shkatërruara.
Një tjetër ndikim i rëndë është ai në transportin ajror dhe rrugor. Autoritetet federale të aviacionit raportuan se më shumë se 15,000 fluturime janë anuluar që nga e shtuna, ndërsa mijëra të tjera janë vonuar për shkak të kushteve të vështira meteorologjike nëpër aeroportet kryesore të vendit. Udhetarët janë këshilluar të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.

Temperaturat kanë rënë në nivele ekstreme. Në zona të caktuara të Rrafshnaltave Veriore, termometrat kanë shënuar deri në –46°C, ndërsa në qytete të mëdha si Chicago dhe New York temperaturat mbeten shumë përposhtë zeroja, duke rritur rrezikun e hipotermisë dhe problemeve shëndetësore për banorët që janë detyruar të qëndrojnë jashtë.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), moti i acartë i kombinuar me borë të dendur dhe ngrica ka krijuar “kushte rreziku për jetën”, duke bërë që autoritetet në të paktën 16 shtete dhe në Washington, D.C., të shpallin gjendje emergjence. Residentëve u është bërë apel të qëndrojnë larg rrugëve dhe të sigurojnë ushqimet, medikamentet dhe burimet e ngrohjes në shtëpitë e tyre.

Zyrtarët e emergjencës paralajmërojnë se kushtet e akullta do të vazhdojnë në ditët në vijim, duke ndikuar jo vetëm në jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe në funksionimin e infrastrukturës kritike. Shkollat janë mbyllur në shumë rajone, ndërsa qendrat e ngrohjes janë hapur për njerëzit e pambrojtur dhe pa energji.
Meteorologët sqarojnë se ky sistem moti u formua falë ndërveprimit mes ajrit shumë të ftohtë arktik dhe një sistemi masiv të lagësht nga Perëndimi, duke shkaktuar kombinimin ideal për reshje të dendura bore, akull dhe temperatura shumë të ulëta në një pjesë të madhe të territorit amerikan.
Lini një Përgjigje