TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Maj 2026, 13:55

Dilema e Hormuzit: Mes forcës së Trumpit dhe diplomacisë së Vatikanit

Shkruar nga Stefano Stefanini
Dilema e Hormuzit: Mes forcës së Trumpit dhe diplomacisë së
Ngushtica e Hormuzit /

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po godet rëndë ekonominë globale dhe veçanërisht atë evropiane. Mes presionit energjetik dhe tensioneve gjeopolitike, zgjidhja nuk mund të vijë vetëm nga fuqia ushtarake. Diplomacia mbetet thelbësore për të shmangur përshkallëzimin dhe krizën e madhe...

Përplasja e ashpër e forcës mes Uashingtonit dhe Teheranit ka hyrë tashmë në një “zonë gri”, ku avantazhi anon nga Irani. As luftë e hapur, as paqe e mirëfilltë: bllokada detare përballë njëra-tjetrës, retorikë agresive në publik, ndërsa në prapaskenë zhvillohen negociata të tërthorta e të kujdesshme.

Iranianët, me durimin e tyre strategjik, e shfrytëzojnë këtë situatë në maksimum. Armëpushimi u jep kohë dhe frymëmarrje. Ndërkohë, Donald Trump shfaqet i paduruar. Çmimi i benzinës rritet pa ndalur dhe të mësuar me premtimet e tij kundër alternativave elektrike, konsumatorët amerikanë janë edhe më pak të durueshëm se ai vetë.

Nëse shkaku është mbyllja e Hormuzit, atëherë Ngushtica duhet rihapur dhe sa më shpejt. Me negociata nuk po arrihet rezultat, prandaj mbetet opsioni i forcës: çarja e bllokadës iraniane.

Ideja për të “çliruar” anijet - ndoshta qindra - të bllokuara në Gjirin Persik është thelbi i kësaj qasjeje. Përfitimet energjetike mund të vonohen, por ndërkohë Trump synon të rifitojë iniciativën politike.

Në Gjirin Persik, i dobët në diplomaci, presidenti amerikan mbështetet te epërsia dërrmuese ushtarake ajrore dhe detare ndaj Udhëheqësit Suprem iranian. Ndërsa në arenën ndërkombëtare ai dërgon sinjale të përziera: të ashpra ndaj Evropës - me kërcënime për tërheqje trupash, tarifa dhe bojkot të samitit të G7 në Evian - por më të hapura ndaj dialogut me Vladimir Putinin dhe Xi Jinpingun.

Ndërkohë, përpiqet të ketë një ton më pajtues me Papa Leonin XIV. Në Vatikan nuk mund të hyhet me gjuhë lufte. Aty priten shenja dialogu. Por mbetet pyetja: sa paqe do të sjellë Marco Rubio në takimin me Papën, i cili e ka vendosur paqen në qendër të mesazheve të tij të fundit?

Për Selinë e Shenjtë, çështja nuk është vetëm Irani. Në listë janë edhe Libani, Gaza, Bregu Perëndimor dhe vetë Jeruzalemi. Administrata Trump duket pa përgjigje përballë politikave të Benjamin Netanyahut dhe presionit të kolonëve për të zhvendosur palestinezët nga territoret e diskutueshme.

Në dallim nga administratat e mëparshme amerikane, përfshirë atë të Joe Biden-it pas ngjarjeve tragjike të 7 tetorit 2023, kjo administratë duket e paralizuar. Plani për Gazën është lënë në harresë.

Madje, është njoftuar edhe mbyllja e një strukture kyçe për koordinimin civil-ushtarak dhe ndihmën humanitare në rajon. Megjithatë, qasja amerikane ndaj Iranit mbështetet mbi tre argumente: negociatat janë ende në tryezë; programi bërthamor iranian duhet ndalur; dhe Hormuzi duhet rihapur për të shmangur një krizë energjetike, bujqësore dhe humanitare me pasoja globale.

Ndërkaq në lidhje me Palestinën, mbrojtja e Izraelit bëhet gjithnjë e më e vështirë - jo vetëm në Vatikan, por edhe në Evropë. Roma, si kryeqytet i dy shteteve, bëhet një nyje kyçe diplomatike. Vizita e Rubios synon të rikuperojë marrëdhëniet si me Italinë, ashtu edhe me Selinë e Shenjtë.

Me këtë të fundit, në një perspektivë afatgjatë duke pasur parasysh edhe peshën e komunitetit katolik në SHBA. Me Italinë, objektivi është më i menjëhershëm: rreshtimi strategjik në kuadër të NATO-s dhe në çështjen iraniane.

Por pas tensioneve të fundit dhe ftohjes së marrëdhënieve me Giorgia Melonin, ky afrim nuk është i lehtë. Pavarësisht vullnetit për dialog, hapësirat për kompromis mbeten të kufizuara. Italia përjashton çdo mbështetje të drejtpërdrejtë për veprime ushtarake kundër Iranit.

Mund të ketë vetëm lehtësime teknike, për sa kohë zgjat armëpushimi. Nga ana tjetër, Rubio duhet të ruajë një ekuilibër të brishtë: të jetë në linjë me Trumpin, pa e ditur saktësisht se cili do të jetë hapi i radhës i presidentit amerikan.

Nëse ndërkohë nis një operacion për rihapjen me forcë të Hormuzit, kërkesa për mbështetje evropiane është e pashmangshme. Por Evropa gjendet përballë një dileme të vështirë: të mbrojë lirinë e lundrimit në një situatë paqeje të brishtë apo të përfshihet në një përshkallëzim të rrezikshëm?

Nga ana tjetër, dëmet ekonomike nga bllokimi janë tashmë të mëdha. “Të presim paqen”, rrezikon të mbetet një shpresë e vakët. Në fund, lufta mund të jetë zgjedhje politike e njërit, por pasojat janë gjithmonë kolektive.

Vizita në Romë e vendos Italinë në vijën e parë të një sfide që prek të gjithë Evropën. Dhe përgjigjja nuk mund të jetë e fragmentuar. Kërkohet një qëndrim i përbashkët dhe i koordinuar mes kryeqyteteve kryesore evropiane./Pamfleti nga “La Stampa”

ngushtica e hormuzit forca diplomacia

Lini një Përgjigje