Policia dhe agjentët qëlluan një burrë pranë Monumentit të Uashingtonit të hënën, pasi ai u pa duke ecur me armë pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili më pas hapi zjarr ndaj tyre, sipas një deklarate nga Shërbimi Sekret i SHBA-së.
Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret, Matt Quinn, tha se agjentë të veshur civilë e panë burrin rreth orës 3:30 të pasdites (UTC) të së hënës pranë Shtëpisë së Bardhë dhe vunë re se ai mbante një armë të fshehur. Agjentët më pas e ndoqën dhe njoftuan autoritetet.
Sipas tij, burri i panjohur u alarmua kur oficerë të Shërbimit Sekret me uniformë iu afruan dhe u përpoq të ikte, duke hapur zjarr ndaj tyre, ndërsa agjentët iu kundërpërgjigjen.
Burri u dërgua në një spital lokal dhe deri më tani nuk ka asnjë përditësim për shëndetin e tij , shtoi Quinn.
Një i mitur u plagos lehtë në shkëmbimin e të shtënave me armë dhe u dërgua gjithashtu në spital. Quinn tha se nuk mund të thoshte me siguri nëse i mituri u plagos nga plumbat e personit apo të agjentëve .
"Do t'i lëmë mjekët të bëjnë analizat e tyre", tha ai, duke vënë në dukje megjithatë se "hetuesit besojnë se ai është goditur nga i dyshuari".
Autoritetet lokale u bënë thirrje njerëzve të shmangin zonën, pasi të shtënat ndodhën pranë Shtëpisë së Bardhë, ku në atë kohë po zhvillohej një aktivitet i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump .
Shtëpia e Bardhë u vu në izolim për një kohë të shkurtër, ndërsa autoritetet hetuan incidentin. Shërbimi Sekret i shoqëroi gazetarët nga salla, ndërsa Trump vazhdoi fjalimin e tij pa ndërprerje .
Incidenti vjen pothuajse një javë pasi një burrë i armatosur u përpoq të sulmonte Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, Quinn theksoi se ende nuk dihet nëse incidenti lidhet me Trumpin . "Nuk do të spekuloj ," tha Quinn, duke shtuar "nuk e di nëse është përfshirë presidenti apo jo, por do ta zbulojmë."
Lini një Përgjigje