TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Korrik 2025, 22:10

Brenda revoltës 'Maga': Fantazma e Epstein që po lëkund presidencën 'Trump'!

Shkruar nga Pamfleti

Brenda revoltës 'Maga': Fantazma e Epstein që po lëkund

Mbështetësit e zjarrtë të presidentit e kaluan dekadën e kaluar duke sulmuar armiq të ndryshëm, nga Barack Obama dhe shteti i thellë te emigrantët pa dokumente dhe fëmijët transgjinorë. Tani ata kanë një shënjestër të re: vetë Donald Trump.

Një valë zemërimi dhe zhgënjimi ka përfshirë bazën më besnike të Donald Trumpit, të njohur si lëvizja MAGA, pas dështimit të presidentit për të përmbushur premtimin e tij të kahershëm: publikimin e plotë të dosjeve për Jeffrey Epstein. Ky skandal po trondit një nga aleancat më të forta politike të dekadës së fundit dhe po e vendos vetë Trumpin në shënjestër të akuzave që për vite i ka hedhur ndaj të tjerëve – përfshirë sistemin e “deep state”-it.

Mbështetës të linjës së ashpër të djathtë, nga Tucker Carlson te Laura Loomer dhe Steve Bannon, kanë kritikuar ashpër mënyrën si administrata Trump dhe Departamenti i Drejtësisë kanë menaxhuar rastin Epstein, sidomos pas njoftimit të FBI-së se nuk ekziston “lista sekrete e klientëve” që mendohej se Epstein përdorte për shantazh. Në vend të sqarimit, kjo deklaratë ka thelluar dyshimet dhe ka ndezur konspiracionet brenda vetë MAGA-s.

Një pjesë e lëvizjes tashmë e sheh Trumpin si të “bashkëpunuar” me strukturat e korruptuara që ai dikur premtonte t’i shkatërronte. Mjaft mbështetës e akuzojnë për fshehje të së vërtetës dhe për mbrojtje të elitave, një ironi për një lider që u bë simbol i betejës kundër establishmentit.

Pika kulmore e revoltës erdhi kur Wall Street Journal publikoi lajmin se Trump kishte dërguar një letër të turpshme Epsteinit në 2003, ku përfshihej edhe një vizatim i një gruaje nudo me firmën e tij. Trump e mohoi autorësinë dhe reagoi duke paditur Rupert Murdochun dhe gazetarët e WSJ për shpifje.

Në një përpjekje për të qetësuar krizën, Trump përdori platformën e tij Truth Social, duke fajësuar opozitën për një “sulm të majtë radikal” dhe duke e quajtur çështjen “e sajuar”. Ai madje kritikoi ndjekësit e tij si “të dobët” për t’i besuar “gënjeshtrave”. Përgjigja ishte dramatike: disa dogjën kapelet MAGA në shenjë proteste.

Presioni vazhdoi të rritet edhe brenda radhëve republikane. Ish-nënpresidenti Mike Pence dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson kërkuan publikimin e plotë të dokumenteve. Edhe Elon Musk, një mbështetës i fuqishëm i Trump, shpërtheu në akuza për fshehje të të vërtetës.

Për analistët politikë, ky moment përfaqëson një pikë kthese të rrallë: lëvizja që u ushqye me konspiracione, tani po rebelon ndaj burimit të tyre. Trump, që fitoi terren politik duke propaganduar teori si ajo e “birther-it” për Obama-n apo gënjeshtrën e “vjedhjes së zgjedhjeve”, po përballet me pasojat e një realiteti që nuk mund ta kontrollojë më.

Shkrimtari Charlie Sykes e përshkruan situatën si “fantazma e Epstein që përndjek Trumpin më shumë se çdo krizë tjetër”. Ai shton: “Trump është produkt dhe përhapës i teorive konspirative dhe tani po gëlltitet nga vetë narrativa që krijoi.”

Nga ana tjetër, demokratët janë duke u përpjekur të shfrytëzojnë krizën, por analistë si Steve Schmidt kritikojnë mungesën e një përgjigjeje të koordinuar: “Ky është momenti për të goditur Trumpin kur është i dobësuar dhe i vetmuar, por demokratët sillen sikur s’kuptojnë rëndësinë.”

Një sondazh i Reuters/Ipsos tregon se 69% e amerikanëve besojnë se qeveria po fsheh të dhëna për Epsteinin. Vetëm 6% besojnë të kundërtën. Kjo shifër dëshmon jo vetëm krizën e besimit, por edhe rrezikun real për Trumpin në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

Për disa, zhgënjimi i bazës MAGA mund të kthehet në abstinencë zgjedhore. “Shumë nga ata që votuan për Trump nuk janë republikanë të zakonshëm, ata janë besimtarë të një misioni. Dhe kur udhëheqësi i tyre tradhton atë mision, ata thjesht tërhiqen”, thotë ish-kongresmeni Joe Walsh.

Dhe në fund, siç e përmblodhi vetë ai: “Trashëgimia e vërtetë e Trumpit është shkatërrimi i të vërtetës. Por është ironike që pikërisht një nga gënjeshtrat e tij mund të jetë ajo që do ta kryqëzojë politikisht.”/ Marrë me shkurtime nga “The Guardian”

Lini një Përgjigje