Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi sot se vendi ku do të zhvillohet raundi i ardhshëm i negociatave mbi Ukrainën do të përcaktohet vetëm pas një analize të plotë të rezultateve të bisedimeve dy-ditore në Gjenevë (17-18 shkurt), të cilat u zhvilluan në format trilateral mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës.
Sipas Peskov-it, presidenti rus Vladimir Putin është informuar tashmë drejtpërdrejt nga ekipi negociator rus për zhvillimet në Gjenevë. Peskov theksoi se Rusia nuk mund të përcaktojë ende asgjë konkrete për vendin e negociatave të ardhshme.
"Jo, nuk mund të themi asgjë ende. Vendimi do të merret pas analizës së takimeve që u zhvilluan në Gjenevë", tha Peskov.
Ai shtoi se nuk ka pasur kontakte të reja me palën amerikane pas Gjenevës dhe as nuk janë planifikuar për momentin, por çështja do të shqyrtohet.
"Orari i mëtejshëm do të varet nga amerikanët”, shtoi ai.
Një nga pikat më të forta të deklaratës së Peskov-it ishte qëndrimi i ashpër ndaj Bashkimit Evropian. Ai tha se asnjë përfaqësues evropian nuk po merr pjesë në procesin e negociatave. Sipas tij, qëndrimi i shumicës së kryeqyteteve evropiane kontribuon më shumë në vazhdimin e luftës sesa në zgjidhjen paqësore
"Evropianët nuk janë të pranishëm në tryezën e negociatave. Ata nuk janë të pranishëm në procesin e negociatave në përgjithësi. Shumica dërrmuese e pikëpamjeve të shprehura në kryeqytetet evropiane kanë tendencë të kontribuojnë më shumë në vazhdimin e luftës sesa në përpjekjet për një zgjidhje paqësore. Tani për tani, nga pjesëmarrësit në formatin trepalësh, Rusia nuk sheh asnjë kuptim në pjesëmarrjen e evropianëve. Kjo nuk ka gjasa të jetë e dobishme", tha ai.
Ukraina dhe SHBA-ja raportuan disa përparime kuptimplota, por pa ndonjë përparim të madh në territore apo garanci sigurie. Peskov theksoi se puna vazhdon dhe se procesi është në një fazë që nuk lejon diskutime publike të detajuara.
Lini një Përgjigje