Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes se Shqipëria dhe Kosova do të kenë trupa në terren si pjesë e forcës ndërkombëtare të stabilizimit që synon të veprojë në Gazë.
Ai theksoi se disa vende do të angazhohen drejtpërdrejt në terren për të mbështetur zbatimin e armëpushimit dhe ruajtjen e sigurisë, duke përfshirë edhe Marokun, i cili sipas tij do të kontribuojë në këtë proces.
Trump vijoi duke lavdëruar marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi në tetor, duke pretenduar se “lufta në Gaza ka përfunduar”. Megjithatë, deklarata e tij vjen në një kohë kur raportohen shkelje të përsëritura të armëpushimit. Sipas burimeve ndërkombëtare, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, mbi 600 palestinezë janë vrarë si pasojë e incidenteve të vazhdueshme.
Presidenti amerikan e përshkroi dhunën e mbetur si “flakë të vogla”, duke sugjeruar se situata është nën kontroll dhe se procesi i paqes po ecën përpara.
Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet çarmatimi i Hamasit. Trump deklaroi se beson që Hamasi “do të dorëzojë armët”, duke e cilësuar këtë si hap të domosdoshëm për konsolidimin e paqes. “Nëse nuk e bëjnë, do të përballen me pasoja të ashpra”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se duhet dhënë “kreditë e duhura” Hamasit për gjetjen dhe kthimin e trupave të pengjeve izraelite në Gazë, duke e paraqitur këtë si një zhvillim pozitiv në kuadër të procesit të negociatave.
Lini një Përgjigje