Mikrobiologu argjentinas Gustavo Palacios ka paralajmëruar se virusi i Andeve, një formë e rrallë e hantavirusit, mund të transmetohet nga njeriu te njeriu edhe përmes kontakteve të zakonshme sociale, duke krijuar raste të ashtuquajtura “super-përhapëse”.
Deklaratat e tij vijnë ndërsa autoritetet ndërkombëtare monitorojnë situatën në anijen turistike MV Hondius, ku deri tani janë regjistruar tre viktima nga hantavirusi.
Zyrtarët e World Health Organization (OBSH) e kanë krahasuar situatën në anije me shpërthimin e rëndë të hantavirusit në Patagoni të Argjentinës gjatë viteve 2018-2019, ku u regjistruan 34 infektime dhe 11 viktima.
Sipas Palacios, në atë kohë virusi u përhap gjatë aktiviteteve sociale si një festë ditëlindjeje, një funeral dhe një vizitë mjekësore, duke treguar se transmetimi mund të ndodhë edhe jashtë kontakteve shumë intime ose spitalore.
“Një anije është në thelb një vend që lehtëson transmetimin”, tha ai, duke paralajmëruar se kushtet në MV Hondius mund të jenë edhe më të favorshme për përhapjen e virusit sesa ato të shpërthimit në Argjentinë.Virusi i Andeve konsiderohet një përjashtim mes hantaviruseve, pasi shumica e tyre transmetohen vetëm nga brejtësit te njerëzit. Por sipas studimeve të publikuara në The New England Journal of Medicine, ky virus ka treguar aftësi për transmetim nga personi te personi.
Palacios kujtoi se komuniteti shkencor fillimisht refuzoi të besonte se hantavirusi mund të përhapej midis njerëzve.
“Ishte si historia e Davidit kundër Goliathit. Për vite me radhë u përpoqëm të bindnim virologët e botës se transmetimi mes njerëzve ishte real”, u shpreh ai.
Sipas studiuesit, edhe kontaktet relativisht të shkurtra mund të jenë të mjaftueshme për infektim. Ai solli shembullin e një personi që mori pjesë vetëm për një orë në një festë ditëlindjeje dhe më pas rezultoi se kishte infektuar persona të tjerë.
Megjithatë, eksperti theksoi se situata nuk duhet të shkaktojë panik.
“Nuk duhet të jemi alarmistë, por realistë”, tha Palacios, duke shtuar se hantavirusi nuk ka të njëjtin potencial përhapjeje si COVID-19, pasi zinxhiri i transmetimit zakonisht ndërpritet pas disa brezash infektimi.
Shkencëtarët paralajmërojnë se periudha e inkubacionit të virusit mund të zgjasë deri në 45 ditë, ndërsa autoritetet shëndetësore po përpiqen të rindërtojnë kontaktet e personave që kanë zbritur nga anija në javët e fundit.
Hantavirus është një sëmundje e rrallë që zakonisht transmetohet te njerëzit përmes ekspozimit ndaj urinës ose jashtëqitjes, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Në fazat e para, simptomat mund të ngjajnë me gripin, duke përfshirë lodhje, temperaturë, të dridhura dhe dhimbje trupi.
Megjithatë, me përparimin e sëmundjes, virusi mund të dëmtojë mushkëritë, zemrën ose veshkat, duke shkaktuar vështirësi të rënda në frymëmarrje, dështim të organeve dhe në disa raste edhe vdekje.
OBSH ka deklaruar të hënën se nuk ka arsye për panik dhe se rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët, megjithatë ekspertët po e konsiderojnë të pazakontë mënyrën se si sëmundja mund të jetë përhapur në një anije turistike.
Çfarë është hantavirusi?
Hantavirusi përfshin një grup virusesh që përhapen kryesisht nga brejtësit përmes lëngjeve trupore dhe mbeturinave të tyre.
Njerëzit infektohen zakonisht kur thithin ajër të ndotur nga grimcat e jashtëqitjes së thata të brejtësve, shpesh gjatë pastrimit të ambienteve të kontaminuara, transmeton Klankosova.tv.
Infeksioni mund të ndodhë edhe përmes prekjes së sipërfaqeve të infektuara dhe më pas prekjes së gojës ose hundës, si dhe në raste të rralla nga kafshimet apo gërvishtjet e brejtësve.
Në Amerikën e Jugut ekziston një variant i rrallë që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu, por raste të tilla janë shumë të rralla.
Simptomat dhe rreziku
Hantavirusi shkakton dy forma të sëmundjes së rëndë:
Në Evropë dhe Azi mund të shkaktojë dëmtim të veshkave, me simptoma si dhimbje koke, të përziera dhe më pas gjakderdhje të brendshme dhe dështim akut të veshkave, transmeton Klankosova.tv.
Në Amerikë shkakton sindromën pulmonare hantavirus, e cila prek mushkëritë dhe mund të çojë në vështirësi të rënda në frymëmarrje dhe grumbullim të lëngjeve në mushkëri.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), deri në 40% e rasteve me komplikime respiratore mund të rezultojnë fatale.
A ka trajtim?
Aktualisht nuk ekziston një kurë specifike për hantavirusin. Trajtimi bazohet në kujdes mbështetës, si hidratimi, pushimi dhe menaxhimi i simptomave.
Për këtë arsye, parandalimi mbetet vendimtar, përfshirë shmangien e kontaktit me brejtësit dhe pastrimin e kujdesshëm të hapësirave të kontaminuara.
Hetimet për shpërthimin
Shkaku i saktë i shpërthimit në anije ende nuk dihet. Ekspertët po shqyrtojnë disa mundësi, përfshirë praninë e mundshme të brejtësve në anije ose infektimin gjatë ndalesave në porte. Nuk përjashtohet as mundësia e rrallë e transmetimit mes njerëzve, por kjo konsiderohet shumë e pamundur.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe po kryhet analizimi i detajuar gjenetik i virusit për të kuptuar origjinën dhe përhapjen e tij.
Lini një Përgjigje