Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit po fokusohen te kufizimi i programit bërthamor dhe lehtësimi i sanksioneve, ndërsa disa nga kërkesat fillestare të Donald Trump duket se janë lënë mënjanë.
Mbetet ende e paqartë se çfarë, nëse do të prodhojnë diçka konkrete, do të sjellin bisedimet më të fundit për paqe mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa të enjten të dyja vendet vazhduan shkëmbimin e sulmeve. Presidenti Donald Trump ka pretenduar edhe më parë se një marrëveshje ishte pranë finalizimit. Megjithatë, marrëveshja që po diskutohet aktualisht duket të jetë më shumë një kornizë paraprake sesa një zgjidhje përfundimtare.
Ajo që po bëhet gjithnjë e më e dukshme është se Trump nuk po arrin objektivat që kishte shpallur në fillim të luftës.
Në përpjekje për t’i dhënë fund një konflikti që rezultoi shumë më i vështirë dhe më i zgjatur sesa kishte parashikuar, si dhe që ka ndikuar negativisht në nivelin e mbështetjes publike ndaj tij, Trump duket se ka hequr dorë nga një pjesë e konsiderueshme e kërkesave të tij fillestare maksimale.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se marrëveshja eventuale nuk mund të konsiderohet e favorshme. Por ajo që po diskutohet tani është dukshëm larg standardit që vetë Trump kishte vendosur vetëm dy muaj më parë.
Sipas informacioneve të publikuara deri tani, bisedimet po përqendrohen në hartimin e një memorandumi të shkurtër, i cili do të përcaktonte procesin drejt një marrëveshjeje të negociuar për përfundimin e luftës. Deri të enjten, SHBA-ja ende priste përgjigjen zyrtare të Iranit ndaj propozimit.
Ky memorandum do të hapte një periudhë negociuese 30-ditore, gjatë së cilës fokusi kryesor do të ishte pezullimi i programit bërthamor iranian për një periudhë të përcaktuar kohore. Zyrtarët amerikanë duket se kërkojnë që kufizimet të zgjasin të paktën 10 vjet. Në të njëjtën kohë, Irani do të duhej të dorëzonte rezervat ekzistuese të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
Në këmbim, SHBA-ja mund të pranonte lehtësimin e një pjese të sanksioneve ekonomike dhe zhbllokimin e miliarda dollarëve fonde iraniane të ngrira. Të dyja palët gjithashtu do të angazhoheshin për heqjen e kufizimeve në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, që nga fillimi i konfliktit, Trump kishte deklaruar vazhdimisht se objektivi i tij nuk ishte thjesht pezullimi i programit bërthamor iranian, por sigurimi që Irani të “mos ketë kurrë” armë bërthamore. Ai e ka përdorur shpesh termin “kurrë” në deklaratat e tij publike.
Edhe vetë ideja e një marrëveshjeje të negociuar ishte refuzuar më herët nga Trump. Vetëm një javë pas nisjes së luftës, ai kishte shkruar në rrjetet sociale: “Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin përveç dorëzimit pa kushte.”
Një tjetër objektiv që duket se është zbehur shpejt nga axhenda amerikane është ndryshimi i regjimit në Iran.
Në videomesazhin e publikuar natën kur nisi lufta në fund të shkurtit, Trump iu drejtua popullit iranian me thirrjen: “Kur të kemi mbaruar, merrni kontrollin e qeverisë suaj”, duke shtuar më tej: “Do të jetë e juaja për ta marrë.”
“Tani është momenti të merrni në dorë fatin tuaj dhe të çlironi të ardhmen e begatë dhe të lavdishme që është pranë jush”, deklaronte Trump në fund të mesazhit të tij.
Kjo nuk ishte një deklaratë dytësore apo e rastësishme. Ishte pjesa përmbyllëse e fjalimit të tij dhe një nga mesazhet më të forta politike të asaj kohe.
Megjithatë, ndryshimi i regjimit nuk duket më pjesë e negociatave aktuale. Trump ka pretenduar se eliminimi i disa drejtuesve iranianë përbënte në vetvete një formë ndryshimi regjimi, por ky argument është konsideruar pak bindës për disa arsye, veçanërisht duke pasur parasysh se lideri aktual suprem i Iranit është djali i liderit të mëparshëm.
Një tjetër prioritet që është përmendur shpesh nga administrata amerikane edhe pse jo gjithmonë në mënyrë të qëndrueshme ishte ndërprerja e mbështetjes së Iranit për grupet aleate në Lindjen e Mesme, si Hamasi dhe Hezbollah-u.
Më 2 mars, Trump deklaroi se një nga objektivat kryesore ishte të sigurohej që Irani “të mos vazhdonte të armatoste, financonte dhe drejtonte” këto grupe. Dy ditë më vonë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se synimi ishte që “grupet aleate të Iranit në rajon të mos mund të dëmtonin më amerikanët”.
Kur Trump pretendoi në mesin e prillit se Irani kishte rënë dakord për “gjithçka” në një marrëveshje të mundshme, ai deklaroi për CBS News se Teherani kishte pranuar të ndërpriste mbështetjen për të gjitha grupet aleate.
Megjithatë, aktualisht nuk ka arsye të besohet se kjo çështje është zgjidhur apo se është pjesë qendrore e negociatave.
Detajet e bisedimeve të raportuara deri tani nga mediat amerikane, përfshirë CNN, nuk përmendin grupet aleate të Iranit. Edhe vetë Trump, gjatë një interviste për PBS News të mërkurën, nuk i përmendi këto grupe kur foli për perspektivën e një marrëveshjeje.
Rrallë ndodh që një luftë të arrijë të gjitha objektivat e saj. Por ajo që bie në sy në këtë rast është niveli maksimalist i kërkesave që Trump kishte vendosur në fillim dhe shpejtësia me të cilën administrata e tij duket se ka hequr dorë nga disa prej tyre.
Në disa raste, zyrtarët amerikanë duket se ndaluan së insistuari mbi këto objektiva shumë shpejt.
Dhe të paktën një pjesë e mbështetësve më të ashpër të politikës amerikane ndaj Iranit duket se kanë kuptuar se rezultati final mund të jetë shumë më modest sesa kishin pritur.
Gjatë një konference për shtyp në Pentagon të martën, një gazetar që më herët kishte vlerësuar administratën dhe mënyrën e zhvillimit të luftës, i kërkoi sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të shpjegonte pse nuk ishte realizuar ndryshimi i regjimit apo dorëzimi pa kushte i Iranit.
“Çfarë ndodhi me atë premtim ndaj iranianëve?. Dhe kur vendosi presidenti të tërhiqej nga kërkesa për dorëzim pa kushte?”, pyeti gazetari.
Hegseth u përgjigj se Trump nuk kishte hequr dorë nga qëndrimet e tij dhe sugjeroi se populli iranian mund të rrëzojë qeverinë në të ardhmen, nëse e dëshiron.
Më pas ai shtoi se objektivi kryesor mbetet sigurimi që çdo marrëveshje me Iranin të përfshijë një garanci që vendi “të mos ketë kurrë armë bërthamore”.
Por vetëm pak ditë më vonë, edhe ky objektiv duket se mund të mos jetë më absolut./Përshtati "Pamfleti", nga "CNN"
Marreveshja eshte interes i perbashket midis paleve. Ky ngarerron marreveshjen me detyrimin. I thote se e dua keshtu si them une. Kjo seshte marreveshje.
Ky trimi Amerikes nuk ben negociata ndershteterore po ben pazare te rrembeje per vehte e te mbushe banken se e di qe do i duhen te paguaje avokatet per t'i shpetua akuzave qe rendojne mbi supet e tij e femijve.