TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Maj 2026, 21:25

BE, nga “kokë turku” në projektin e fundit të paqes në Tokë!

Shkruar nga Sebastien Maillard
BE, nga “kokë turku” në projektin e fundit të paqes
Nëntë vende trokasin sot në derën e Bashkimit Europian, nga Shqipëria deri në Ukrainë, duke kaluar përmes Moldavisë.

Europa shpesh përshkruhet si e ngadaltë, burokratike, e përçarë dhe në rënie. Megjithatë, kurrë më parë nuk ka zgjuar kaq shumë interes: nëntë vende trokasin në derën e saj, Mbretëria e Bashkuar po afrohet sërish, ndërsa Islanda po shqyrton rikthimin në BE. Një paradoks.

Është bërë e zakonshme të vajtohet për Europën, të ankohen ndarjet e saj, të theksohet margjinalizimi, të kritikohet ngadalësia dhe burokracia e saj. Jo pa arsye. Megjithatë, ndërsa 9 maji kujton çdo vit nisjen e integrimit europian, në vitin 2026 Europa nuk ka qenë kurrë kaq tërheqëse.

Këtë e dëshmojnë nëntë vendet që sot trokasin në derën e saj, nga Shqipëria deri në Ukrainë e Moldavi. Ose që mund të trokasin sërish, si Islanda, nëse referendumi i planifikuar më 29 gusht vendos në favor të kësaj. Të tjera vende qëndrojnë pranë derës, si Mbretëria e Bashkuar.

Dhjetë vjet pas referendumit për daljen nga Bashkimi Europian, që solli një “Brexit të ashpër”, tashmë synohet përafrimi me të drejtën europiane dhe “afrimi më i ngushtë i mundshëm” për ekonominë britanike. Sipas një sondazhi të YouGov në shtatorin e kaluar, 53% e britanikëve do të dëshironin rikthimin në BE, ndërsa një e treta do ta kundërshtonte. Partitë nacionaliste skoceze dhe uellsiane, që konsiderohen favorite në zgjedhjet rajonale të 7 majit, e shohin emancipimin e tyre vetëm brenda Bashkimit Europian.

Perceptimi për Europën ka ndryshuar rrënjësisht. Gjatë Brexit-it dhe krizave që e goditën njëra pas tjetrës, kriza financiare, ajo e euros dhe kriza migratore, themelet e projektit europian dukeshin të lëkundura dhe monedha e përbashkët rrezikonte të shembej.

Vetë ekzistenca e BE-së dukej e pasigurt. Jean-Claude Juncker e përshkruante Komisionin Europian në vitin 2014 si “Komisioni i shansit të fundit”. Dhjetë vjet më vonë, Emmanuel Macron e përqendroi fjalimin e tij të dytë në Sorbonë te ideja e “Europës mortore”.

Europa mbetet pa dyshim e brishtë. Ajo kërcënohet nga një “agoni e ngadaltë”, siç paralajmëroi Mario Draghi në raportin e tij të njohur për konkurrueshmërinë në vitin 2024. Ajo ka ende reforma të mëdha për të realizuar, siç kërkon edhe raporti Letta. Por përballë kërcënimit rus, deklaratave trumpiste dhe agresivitetit tregtar të Kinës, Europa shfaqet njëkohësisht si mburoja më e sigurt. Këtë e kanë kuptuar mirë edhe vendet kandidate për anëtarësim.

Strehë stabiliteti politik

Në kaosin gjeopolitik ku dominojnë raportet e forcës dhe logjikat perandorake, ku solidariteti transatlantik është bërë më i pasigurt se kurrë, blloku i 27 vendeve shihet si një strehë stabiliteti politik, monetar dhe juridik.

“Më parë njerëzit vinin në Europë për mbështetje financiare dhe infrastrukturë. Sot, ndoshta është projekti i fundit i paqes në Tokë.”, përmblodhi kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, më 9 prill gjatë një aktiviteti proeuropian në Barcelonë.

Presidentja moldave Maia Sandu e shprehu në të njëjtën mënyrë në një intervistë për “Le Monde” më 29 prill, duke e përshkruar rrugën e vendit të saj drejt BE-së si “një strategji mbijetese si shtet demokratik”. Edhe mundësia e një kandidature të re islandeze dëshmon këtë nevojë për ankorim europian, edhe për vende të pasura dhe të qëndrueshme.

Edhe pohimi i përsëritur se Kanadaja do të preferonte të bëhej shteti i 28-të i BE-së sesa shteti i 51-të amerikan e shpreh këtë frymë, qoftë edhe me humor. Ndërkohë, populistët, pasi humbën Viktor Orbánin si figurë qendrore, sulmojnë më pak ashpër Brukselin. Europa sot duket më pak si një projekt që duhet shpëtuar dhe më shumë si një projekt që na shpëton për të ardhmen.

Dy perceptime të kundërta

Në fakt, të dyja këto perceptime ecin paralelisht. Nga njëra anë, një Europë që shihet si e pafuqishme nga brenda dhe si “kokë turku” për dobësitë tona; nga ana tjetër, një Europë e dëshiruar nga jashtë. Kontrasti është veçanërisht i dukshëm në Francë, ku popullsia është ndër më pak besueset ndaj BE-së në të gjithë bllokun, sipas Eurobarometrit të vjeshtës së kaluar.

Si mund të pajtohen pritshmëritë e vendeve të vjetra anëtare, që përpiqen të rikthejnë konkurrueshmërinë industriale dhe të reduktojnë varësitë e tyre të theksuara, siç e tregon aktualisht goditja energjetike me ato të vendeve që përballen me ambicie perandorake dhe kërkojnë të sigurojnë të ardhmen e tyre kombëtare duke iu bashkuar BE-së, si Ukraina që synon anëtarësimin që në vitin 2027?

Në thelb, si brenda ashtu edhe jashtë BE-së po rritet e njëjta nevojë për siguri: ushtarake, teknologjike, energjetike, ekonomike dhe demokratike, përballë ndërhyrjeve të huaja. Zgjerimi i Bashkimit Europian është i pandashëm nga thellimi i dimensionit të tij të sigurisë.

Në samitin e fundit europian të mbajtur në Qipro, krerët e shteteve dhe qeverive diskutuan se si të bëhet funksionale klauzola e ndihmës së ndërsjellë e parashikuar në nenin 42.7 të traktatit europian. Ukraina është tashmë pjesë thelbësore e këtij reflektimi strategjik. Ky vend i madh mund të kontribuojë gjithashtu për ta bërë Europën më inovative.

Edhe nëse anëtarësimi i plotë nuk është për nesër ose nuk është objektiv, si në rastin e Mbretërisë së Bashkuar apo Zvicrës BE-ja mbetet pjesa qendrore e një ansambli të ri europian, që perceptohet si i domosdoshëm në një botë gjithnjë e më të rrezikshme./Përshtati “Pamfleti”, nga “Les Echos”

Sébastien Maillard është këshilltar special në Institutin Jacques Delors dhe bashkëpunëtor në Chatham House (Londër).

be europa projekti i paqes integrimi

Lini një Përgjigje