Revolucioni Flamingo ka hyrë sot në ditën e 26-të. Ajo që nisi si një protestë kundër projektit për Zvernecin është kthyer tashmë në një revoltë qytetare kundër qeverisë dhe gjithë kastës politike.
Qindra qytetarë janë mbledhur edhe këtë mbrëmje para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të sistemit politik. Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit kanë mbushur bulevardin, ndërsa kanë brohoritur në kor: "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëri e re", "Ju erdhi fundi", "Rama në burg" dhe "Berisha në burg".
Pjesë e protestës është bërë edhe diaspora. Një emigrant i ardhur nga Londra tha se kishte udhëtuar posaçërisht për t'iu bashkuar revoltës.
"Kam udhëtuar nga Londra. Kam udhëtuar t'i japim shkelmin e fundit Edi Ramës. Na kanë vjedhur. Ky na shiti gurët, detin, na shet malet tani. Nuk do ta lejojmë. Diaspora në Londër, Francë, Belgjikë, kudo është me ju. Së shpejti do t'ju bashkohet për t'i dhënë shkelmin këtij hajduti", u shpreh ai.
Atmosfera para Kryeministrisë është shoqëruar me brohoritje dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen.
Një tjetër qytetar u shpreh se presioni i qeverisë nuk i ka frikësuar protestuesit.
"Pse mos të merremi, kur ky ka nisur të merret me ne, më shumë se kurrë më parë. Është duke dhënë shkelmat e fundit. Nëse qëndrojmë të bashkuar, nuk ka tiran që të na thyejë", deklaroi ai.
Ndërsa protesta hyn në javën e katërt, kërkesat e qytetarëve kanë kaluar përtej kundërshtimit të projektit në Zvernec. Tubimi po merr gjithnjë e më shumë karakterin e një revolte politike, ku në qendër të thirrjeve janë largimi i Edi Ramës, ndëshkimi i korrupsionit dhe refuzimi i gjithë klasës politike që, sipas protestuesve, ka qeverisur vendin në këto dekada.
Lini një Përgjigje