TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Shkurt 2026, 19:32

Akuzat ndaj Princit Andrew, reagon Pallati Mbretëror: Jemi gati të bashkëpunojmë me policinë

Shkruar nga Pamfleti
Akuzat ndaj Princit Andrew, reagon Pallati Mbretëror: Jemi gati të
Skandali Epstein

Buckingham Palace ka deklaruar se është i gatshëm të ndihmojë Policinë e Thames Valley në vlerësimin e akuzave të reja ndaj Andrew Mountbatten-Windsor, në lidhje me marrëdhëniet e tij me financierin Jeffrey Epstein.

Autoritetet policore po shqyrtojnë pretendimet sipas të cilave Andrew, gjatë kohës që shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar, ka ndarë dokumente konfidenciale me Epstein. Andrew Mountbatten-Windsor i ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë për keqbërje në lidhje me Epstein.

Në një deklaratë zyrtare, Pallati Mbretëror theksoi se mbreti ka shprehur qartë shqetësimin e tij për akuzat që vazhdojnë të dalin në dritë. “Mbreti e ka bërë të qartë, si me fjalë ashtu edhe përmes veprimeve të paprecedenta, shqetësimin e tij të thellë lidhur me akuzat që vazhdojnë të shfaqen për sjelljen e zotit Mountbatten-Windsor,” thuhet në deklaratë.

Pallati sqaroi gjithashtu se, ndonëse pretendimet konkrete janë çështje që duhet të adresohen personalisht nga Andrew Mountbatten-Windsor, institucioni mbretëror është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë nëse kjo kërkohet. “Nëse na kontakton Policia e Thames Valley, ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë, ashtu siç pritet”, nënvizohet më tej.

Deklarata rikujton se mendimet dhe solidariteti i Mbretit dhe Mbretëreshës kanë qenë dhe mbeten me viktimat e çdo forme abuzimi.

Akuzat e reja lidhen me email-e të publikuara së fundmi në kuadër të dosjeve Epstein. Një shkëmbim elektronik i datës 30 nëntor 2010 sugjeron se Andrew Mountbatten-Windsor i ka përcjellë Epstein-it raporte vizitash për Vietnamin, Singaporin, Hong Kongun dhe Shenzhenin, që lidhen me një udhëtim të tij në Azinë Juglindore në atë periudhë.

Një tjetër email, i dërguar në prag të Krishtlindjeve të vitit 2010, duket se tregon ndarjen e informacionit të cilësuar si “konfidencial” mbi investime në Afganistan. Këto dokumente po shqyrtohen tani nga autoritetet britanike në kuadër të vlerësimit të pretendimeve.

Lini një Përgjigje