TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Janar 2026, 20:01

Adoleshentja që mund të sundojë Korenë e Veriut

Shkruar nga Pamfleti
Adoleshentja që mund të sundojë Korenë e Veriut
Kim Jong Un dhe vajza e tij

Shumë pak dihet për vajzën e Kim Jong Un, që besohet të jetë në adoleshencë të hershme. Edhe emri i saj është subjekt debatesh...

Në Ditën e Vitit të Ri, udhëheqësit e Koresë së Veriut u mblodhën në një mauzole të madh në Pyongyang, ku prehen trupat e balsamosur të dy figurave të “përjetshme” të vendit, Kim Il Sung dhe Kim Jong Il.

Kim Jong Un, udhëheqësi aktual u përkul përpara paraardhësve të tij. Por vëmendjen këtë herë nuk e tërhoqi vetëm ai: në krah të djathtë të tij, për herë të parë në këtë hapësirë të shenjtë, qëndronte një vajzë: vajza e diktatorit.

Që kur Koreja e Veriut siguroi armë bërthamore, regjimi ka qenë më pak i shqetësuar nga rreziku i pushtimit të jashtëm. Megjithatë, Kim mbetet thellësisht paranojak për kërcënimet nga brenda dhe, ndonëse ende në të dyzetat, duket se ka nisur të mendojë seriozisht për trashëgiminë e pushtetit dhe mënyrën si dinastia Kim mund të vazhdojë edhe pas tij. Pjesëmarrja e vajzës së tij në ceremoni më 1 janar ka nxitur spekulime të forta se Kim është duke e përgatitur atë për të qenë trashëgimtare e pushtetit.

Shumë pak dihet për vajzën e Kim Jong Un, që besohet të jetë në adoleshencë të hershme. Edhe emri i saj është subjekt debatesh. Ajo përmendet shpesh si Kim Ju Ae, emër që për herë të parë u bë publik nga ish-ylli amerikan i basketbollit, Dennis Rodman, i cili tha se e kishte mbajtur në krahë gjatë një vizite në kryeqytetin korean në vitin 2013. Një diplomat i dezertuar rishtazi nga Koreja e Veriut ka pohuar se ajo quhet Kim Ju Ye. Media zyrtare nuk jep ndihmë për qartësim, ajo i referohet vajzës si “fëmija i nderuar” apo “fëmija i dashur”.

“Fëmija i nderuar” u shfaq për herë të parë në publik pranë të atit në nëntor të vitit 2022, gjatë testimit të një rakete balistike ndërkontinentale. Disa analistë menduan se prania e saj synonte të përforconte imazhin e Kim si një burrë i fuqishëm me armë bërthamore, por njëkohësisht edhe një baba i përkushtuar. Por nga ai moment, pranitë publike të saj janë shtuar me ritme të larta. Sipas një analize të gazetës japoneze Nikkei, në periudhën 2022-2024, vajza është shfaqur në televizionin shtetëror koreano-verior më shpesh se çdo ditë të dytë. Vitin e kaluar ajo nisi të marrë pjesë edhe në takime diplomatike, përfshirë një ceremoni në ambasadën ruse në Pyongyang dhe një udhëtim të profilit të lartë me babanë e saj në Pekin.

Shfaqjet e saj pranë armëve bërthamore, simboli më suprem i pushtetit të regjimit, kanë si synim t’i japin asaj autoritet. Gjeneralët e lartë të dekoruar, apostujt e dinastisë Kim, i nënshtrohen asaj. Gjatë transmetimeve të një parade ushtarake në mediat shtetërore, publiku u njoh edhe me kuaj të bardhë që konsiderohen të preferuarit e vajzës. Një simbolikë që për koreano-veriorët është e qartë: kuajt e bardhë kanë qenë pjesë e kultit të personalitetit të Kim Il Sung. Zyrtarët në Korenë e Jugut besojnë se vajza është tashmë trashëgimtarja më e mundshme. Kim mund të ndërmarrë hapa drejt formalizimit të statusit të saj në kongresin e ardhshëm të partisë, që pritet të zhvillohet së shpejti.

E megjithatë, disa analistë pyesin nëse një shoqëri kaq patriarkale si ajo koreano-veriore do të pranojë një udhëheqëse femër. Nën sundimin e Kim Jong Un, disa gra kanë marrë poste të larta – përfshirë motrën e tij Kim Yo Jong, që konsiderohet njeriu i dytë më i fuqishëm në vend, dhe ministren e Jashtme, Choe Son Hui, e para grua në atë detyrë. Por të pasurit një grua në krye të shtetit mund të krijojë një dobësi të ardhshme për dinastinë. Pasardhësit e saj – kurdo që të vijnë – mund ta kenë më të vështirë të legjitimojnë trashëgiminë nëse nuk janë të lidhur me themeluesin e Koresë së Veriut përmes linjës mashkullore. Thuhet gjithashtu se Kim ka edhe një djalë. Disa zëra cinikë spekulojnë se vajza mund të jetë vetëm një mashtrim, një ekran deri sa djali të rritet.

Nëse Kim vendos se ka zgjedhur rrugën e gabuar, ai ka ende kohë për të ndryshuar mendje. Por nuk është aspak befasuese që ai ka nisur të mendojë për trashëgiminë që tani. Ai u shfaq si trashëgimtari i qartë i babait vetëm pas një goditjeje cerebrale që Kim Jong Il pësoi në vitin 2008. Dhe për të konsoliduar pushtetin pas vdekjes së të atit në 2011, ai ndjeu nevojën të ekzekutonte xhaxhain dhe të organizonte vrasjen e gjysmë-vëllait në një aeroport në Malajzi, përmes një komploti të sofistikuar që përfshinte dy gra të mashtruara për t’i spërkatur fytyrën me agjent nervor.

Regjimi koreano-verior është më i qëndrueshëm nga sa mendojnë shumë të huaj. Por këtë herë, Kim duket se po mendon se ndoshta është më mirë që trashëgimtari i ri të ketë një fillim pak më të gjatë. /Përshtatur nga “Financial Times”

 

Lini një Përgjigje