TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Janar 2026, 19:38

Një perandor i ri, me kostum të vjetër!

Shkruar nga Julian Borger
Një perandor i ri, me kostum të vjetër!
Donald Trump

A është imperializmi i Trump një rrezik real apo thjesht teatër politik?

Donald Trump e nisi vitin 2026 siç do ta kishte ëndërruar çdo autokrat: me një rrëmbim presidencial dhe një dekret të heshtur perandorak nga qielli. Kur forcat speciale amerikane arrestuan Nicolás Maduro në Caracas, një ditë më parë, bota u trondit. Por ishte vetëm kur tymi u shpërnda dhe Trump fluturonte triumfalisht nga Florida drejt Uashingtonit, që u bë e qartë se nuk kishim të bënim thjesht me një operacion, por me një epokë të re.

Brenda Air Force One, Trump, i veshur me kostumin e tij të errët dhe kravatën e zakonshme të artë, u mbështet në ndarjen e avionit dhe nisi të tregonte si në një shfaqje personale hollësitë e rrëmbimit të Maduro-s. Ai shpalli se SHBA ishte tashmë “në kontroll të Venezuelës” dhe se kompanitë amerikane ishin gati të hynin për të nxjerrë naftën si në një treg të hapur privat.

Me një buzëqeshje të padurueshme nga ngazëllimi, ai nisi të përmendte vende të tjera që mund të pësonin të njëjtin fat. Kuba, sipas tij, ishte “gati për t’u shembur”. Kolumbia drejtohej nga një “njeri i sëmurë” që po i shiste kokainë Amerikës, por që “nuk do ta bëjë për shumë gjatë”. Dhe Grenlanda? Do të presë vetëm pak. E quajti një çështje sigurie kombëtare, e shtyu për “20 ditë deri në dy muaj”, por nuk hoqi dorë. Ishte e qartë: ai e sheh veten jo si president, por si një perandor në kohë zgjerimi.

Por ai nuk mjaftohet më me konferenca shtypi. Departamenti i Shtetit e bëri të qartë përmes rrjeteve sociale: “Kjo është HEMISFERA JONË”, me shkronja të mëdha dhe disa në të kuqe, për të mos lënë asnjë iluzion. Dhe kështu lindi në heshtje “Doktrina Donroe”, një version i ribranduar i doktrinës Monroe, që mban emrin e Trump dhe jo të themeluesve.

Stephen Miller, ideologu i përhershëm i krahut të djathtë të Trump, doli në CNN për të sqaruar “filozofinë e re”: bota, sipas tij, është qeverisur gjithmonë nga forca dhe pushteti, dhe çdo iluzion për rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla ishte një dobësi neoliberale që tani duhet hedhur poshtë.

Në një postim në rrjet, Miller shkroi se pas Luftës së Dytë Botërore, Perëndimi “u ndëshkua vetë duke shpërndarë perandoritë e veta dhe duke dhënë ndihma pafund për territoret që vetë i kishte zhvilluar”. Qasja e re, sipas tij, është e kthjellët dhe pa hipokrizi: Perëndimi nuk ka pse të kërkojë falje për pushtetin. Ai duhet ta rikthejë atë.

Për Trumpin, ky është një hap logjik: një burrë që ndërtoi karrierën mbi pasuritë e paluajtshme, tani po kalon nga ndërtimi i kulla në marrjen e shteteve. Maduro nuk ishte një kundërshtar, por një pengesë për të marrë kontrollin e një pasurie të madhe naftësjellëse. Grenlanda nuk është thjesht një masë toke e ngrirë, por një aset strategjik në veri. Çdo territor është një rresht në balancën ekonomike të një perandorie në ndërtim.

Këto nuk janë thjesht retorika. Rrëmbimi i Maduro-s, kapja e një tankeri me flamur rus që shoqërohej nga një nëndetëse ushtarake, apo kërcënimi i drejtpërdrejtë ndaj aleatëve të NATO-s, janë sinjale që bota ka hyrë në një rend të ri, ku Trump, Putin dhe Xi ndajnë globin si një lojë strategjie.

Putin po rindërton “Rusia e Madhe” me koston e mbi 1 milion të vrarëve dhe të plagosurve në Ukrainë. Xi po kërkon të rikthejë kufijtë e perandorisë Qing, me projektimin e forcës në Detin e Jugut dhe presionin ndaj Tajvanit. Trump, ndërkohë, kërkon të “bëjë Amerikën të madhe përsëri”, jo me slogane, por me kufij të zgjeruar dhe pasuri të rikuperuara. Dhe këtë e bën jo në fshehtësi, por me krenari në rrjetet sociale, si çdo markë që do të ripozicionojë veten.

Por pyetja është: a është kjo vërtet një perandori e re apo thjesht një shfaqje, një “mbret lakuriq” që luan me harta dhe naftë? Trump deklaron se ka marrë Venezuelën, por nuk ka ende një plan të qartë për çfarë vjen më pas. Brenda administratës së tij ka konfuzion për hapat e mëtejshëm. Nëse ndalet këtu, do jetë një nga shumë ndërhyrjet amerikane të njohura historikisht. Nëse shkon më larg, në Grenlandë, në Iran, apo në Gaza, atëherë bota do të përballet me një përplasje të vërtetë të perandorive moderne.

Profesoresha Fiona Hill, ish-këshilltare për çështjet ruse në Shtëpinë e Bardhë, e përshkroi me një fjali të thjeshtë: “Ai dikur donte të ngrejë ndërtesa në vendin tënd. Tani do ta marrë gjithë vendin.” Dhe shtoi me shqetësim se “ne nuk e dimë se çfarë gabimi do të bëjë herën tjetër.”

Në fund të fundit, “Doktrina Donroe” mund të jetë gjithçka: një projekt për ringjalljen e imperializmit klasik, një teatër politik për votuesit e brendshëm, apo thjesht një shfaqje personaliteti për një njeri që nuk e ndan dot pasurinë private nga territori shtetëror. Por ndërsa ai luan rolin e perandorit, bota rri e ngrirë përballë një rreziku real: përplasjes së tre perandorive që nuk po fshihen më. Dhe kjo herë, loja është e hapur. Me emra, harta dhe burime. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”

trump shba

Lini një Përgjigje