TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Janar 2026, 19:27

Irani në flakë, shkon në 65 numri i viktimave; mbi 2 mijë të arrestuar

Shkruar nga Pamfleti
Irani në flakë, shkon në 65 numri i viktimave; mbi 2 mijë
Protestat në Iran

Regjimi iranian ka zbatuar tashmë të gjitha mjetet më brutale të represionit për të shtypur protestat masive që kanë shpërthyer në gjithë vendin që prej 28 dhjetorit, duke përfshirë shkëputjen totale të komunikimit digjital, përdorimin e armëve luftarake ndaj civilëve, arrestime masive dhe kërcënime me dënim kapital ndaj protestuesve.

Në skenën ndërkombëtare, dy nga zërat më të fuqishëm të kinemasë iraniane, Jafar Panahi dhe Mohammad Rasoulof, kanë lëshuar një deklaratë publike ku denoncojnë “përdorimin e mjeteve më të pacipa të represionit” nga regjimi i Teheranit, përfshirë edhe ndërprerjen e internetit dhe bllokimin e çdo kanali komunikimi me botën e jashtme.

Ky nuk është më një regjim autoritar, është një luftë e hapur kundër popullit të vet”, shkruajnë regjisorët në një deklaratë të përbashkët në rrjete sociale.

Panahi, fitues i Palmës së Artë në Kanë dhe i dënuar muajin e kaluar me një vit burg në mungesë për “propagandë kundër shtetit”, dhe Rasoulof, i cili është arratisur në Evropë pas një dënimi të ngjashëm, i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe mediave botërore që të mos i lënë iranianët në errësirë.

Sipas grupit të monitorimit të rrjetit NetBlocks, regjimi ka bllokuar lidhjen me internetin për mbi 36 orë, duke izoluar vendin nga çdo kanal informacioni dhe duke bërë të pamundur dokumentimin e dhunës së ushtruar ndaj protestuesve.

Një mjek në Teheran, në rrëfim për revistën Time, ka deklaruar se vetëm në 6 spitale të kryeqytetit janë numëruar 217 të vrarë nga protestat, shumica e tyre të rinj të qëlluar me mitraloz përpara komisariateve policore. Trupat janë larguar në mënyrë të organizuar nga autoritetet ditën e premte, pa lejuar identifikimin apo mbikëqyrjen nga familjarët.

Prokurori i përgjithshëm iranian, Mohammad Movahedi Azad, ka paralajmëruar se të gjithë protestuesit do të gjykohen si “mohareb”, armiq të Zotit, një akuzë që parashikon dënimin me vdekje në ligjin penal islamik iranian. Akuzat shtrihen jo vetëm për ata që protestojnë aktivisht, por edhe për ata që i ndihmojnë.

Sipas agjencisë HRANA, e cila mbetet ndër burimet më të besueshme për të dhënat nga brenda Iranit, janë identifikuar 65 viktima zyrtare dhe 2311 të arrestuar, por aktivistët thonë se shifrat reale janë shumë më të larta.

Artistja Soheila Sokhanvari, e njohur për portretet e grave të rebeluara iraniane dhe që jeton në Britani, ka shkruar: “Njerëz të pafajshëm, të paarmatosur, po vriten me plumba të vërtetë në Iran. Kjo është një revolucion, jo një protestë.”

Komiku me origjinë iraniane, Omid Djalili, ka deklaruar për The News Agents: “Ka një ndryshim rrënjësor. #IranProtest2026 është bërë #IranRevolution2026.”

Ndërsa aktorja Golshifteh Farahani, që jeton në mërgim për shkak të refuzimit për të veshur hixhabin në filmat ndërkombëtarë, ka shpërndarë një mesazh të shkurtër, por të fuqishëm: “Irani është sërish në flakë. Zemra ime rreh me popullin tim.”

iran protesta

Lini një Përgjigje