TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Janar 2026, 18:59

Franca sërish në krizë, opozita dorëzon 2 mocione kundër qeverisë; Lecornu kërcënon me zgjedhje

Shkruar nga Pamfleti
Franca sërish në krizë, opozita dorëzon 2 mocione
Lecornu-Macron

Franca përballet me një skenar të nxehtë politik, ku çdo vendim i ditëve në vijim mund të çojë në shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare dhe zgjedhje të parakohshme më 15 dhe 22 mars, në të njëjtën kohë me zgjedhjet bashkiake.

Kryeministri Sébastien Lecornu, i emëruar rishtazi nga Presidenti Emmanuel Macron, ka kërcënuar opozitën se nëse rrëzojnë qeverinë, nuk do të ketë negociata për një kabinet të ri, por vetëm kthim në kutitë e votimit.

Një lëvizje e menduar si presion ndaj deputetëve të lëkundur, sidomos nga Partia Socialiste dhe e djathta tradicionale (Les Républicains), të cilët kanë çelësin e shumicës në Parlament.

Rrënjët e krizës lidhen me tensionet e fundit të shkaktuara nga marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet BE-së dhe vendeve të Mercosur-it (Brazili, Argjentina, Uruguaji, Paraguaji), e cila pritet të nënshkruhet më 17 janar në Paraguaj.

Franca votoi kundër në Bruksel, por nuk arriti ta ndalojë miratimin e marrëveshjes, duke shkaktuar zemërim të fortë te bujqit francezë, të cilët marshuan me traktorë deri në zemër të Parisit, poshtë Kullës Eiffel.

Duke përfituar nga kjo klimë protestash, France Insoumise (e majta radikale) dhe Rassemblement National (e djathta radikale e Le Pen) kanë dorëzuar dy mocione censurë kundër qeverisë.

Por Lecornu paralajmëron: nëse mocioni kalon, nuk do të ketë qeveri tjetër, do të ketë zgjedhje.

Edhe pse mocionet e censurës për çështjen Mercosur nuk pritet të kenë shumicën, problemi i madh qëndron te ligji për buxhetin, i cili nuk u miratua brenda afatit kushtetues (31 dhjetor) dhe ka mbetur pezull.

Lecornu mund të detyrohet të përdorë artikullin famëkeq 49.3, i cili lejon miratimin e një ligji pa votë parlamentare, por i hap rrugë një mocioni të menjëhershëm censure.

Socialistët dhe gollistët janë hezitues për mocionet mbi Mercosur, por më të prirur të reagojnë nëse qeveria shkel për herë të dytë autoritetin e Parlamentit me 49.3, siç ndodhi më herët me reformën e pensioneve.

Dhe nëse mocioni kalon mbi buxhetin, Lecornu është i qartë: Asambleja shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje.

Lini një Përgjigje