
Departamenti Amerikan i Thesarit po shqyrton mundësinë e prodhimit të një monedhe përkujtimore njëdollarëshe me profilin e Presidentit Donald Trump, për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që do të kremtohet më 4 korrik 2026.
Kjo nismë vjen në kuadër të një serie veprimtarish kombëtare për të festuar shpalljen e pavarësisë në vitin 1776. Sipas drafteve të publikuara në platformën X dhe të ribotuara nga Departamenti i Thesarit, monedha e propozuar do të paraqesë në një anë profilin e Trumpit së bashku me fjalën “LIBERTY” (Liri) të gdhendur me shkronja të mëdha.
Në anën tjetër, presidenti do të shfaqet me grushtin e ngritur para një flamuri amerikan, bashkë me frazën “FIGHT, FIGHT, FIGHT” (Lufto, Lufto, Lufto), një thirrje e famshme e përdorur nga Trump gjatë një fjalimi pas tentativës për atentat ndaj tij në korrik 2024, në mes të fushatës presidenciale.
Këto dizajne fillestare u konfirmuan nga Sekretari i Thesarit, Brandon Beach, i cili deklaroi në X se më shumë detaje do të publikohen sapo të përfundojë paraliza fiskale aktuale që ka goditur qeverinë federale, duke u referuar te mbyllja e përkohshme e institucioneve për shkak të mosmarrëveshjeve buxhetore.
Megjithatë, Departamenti i Thesarit nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi projektin, edhe pse Agence France-Presse (AFP) ka kërkuar konfirmim. Kjo iniciativë bazohet në një ligj dypartiak të miratuar nga Kongresi në vitin 2020 dhe të nënshkruar nga vetë Trump, i cili autorizon emetimin e monedhave përkujtimore $1 për vitin 2026.
Kritikët e kanë quajtur këtë një "ego-trip" ose një hap drejt një "republike banane", duke e parë si një nderim të tepruar ndaj figurës së presidentit aktual, ndërsa mbështetësit e shohin si një simbol të ringjalljes së Amerikës.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një festë të madhe kombëtare në 2026, me aktivitete në të gjithë vendin, duke filluar nga një numërim mbrapsht i nisur më 4 korrik 2025 nga U.S. Mint. Nëse miratohet, monedha do të prodhohet për një periudhë njëvjeçare duke filluar nga janari 2026.
Te shkoje te gjirokastriti qe i tha fotografit, te me qic nje here mua ne kembe e pastaj ulus e me grua e kalamaj.