TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Tetor 2025, 20:28

Italia në flakë për Gazën, afro gjysmë milioni qytetarë vërshojnë në rrugë; grevë në 100 qytete

Shkruar nga Pamfleti

Italia në flakë për Gazën, afro gjysmë milioni

Përplasje, bllokime dhe një kërkesë e qartë: Ndal luftës!

Në një nga ditët më të ngarkuara socialisht dhe politikisht të këtij viti, mijëra qytetarë italianë zbarkuan në rrugët e mbi 100 qyteteve të vendit në një protestë gjithëkombëtare kundër luftës në Gaza dhe në mbështetje të popullit palestinez. Me thirrje për paqe, drejtësi dhe respektim të të drejtës ndërkombëtare, manifestimet e organizuara nën ombrellën e sindikatës CGIL u shndërruan në një shpërthim të revoltës qytetare, që sfidon qeverinë italiane dhe lidhjet e saj të heshtura me regjimin izraelit.

Milano ishte epiqendra e mobilizimit. Sipas vlerësimeve të pavarura, mbi 50 mijë vetë morën pjesë në marshimin kryesor, ndërsa CGIL raportoi se numri i pjesëmarrësve në këtë qytet arriti deri në 100 mijë. Turma e protestuesve bllokoi rrugët kryesore të qytetit dhe më pas pushtoi një segment të autostradës Tangenziale Est, duke shkaktuar përplasje të ashpra me forcat e rendit. Gjatë këtyre përplasjeve u hodhën gurë, shishe, petarda dhe objekte të tjera, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe manovra për shpërndarjen e turmës. Disa grupime të rinjsh thërrisnin “Shkojmë deri në Venecia”, duke sfiduar kufijtë e protestës së autorizuar.

Situata nuk ishte më e qetë as në qytete të tjera. Në Torino, një grup u shkëput nga marshimi dhe u përpoq të sulmonte selinë e kompanisë ushtarake “Leonardo”, ku ndodheshin automjete të ndërlidhura me prodhimin e armëve. Në Napoli, protestuesit çanë kordonin e policisë dhe depërtuan në portin e qytetit, duke bllokuar qarkullimin në autostradën A3 për më shumë se një orë. Në Padova, u përdorën gaz lotsjellës dhe ujëhedhës për të ndaluar marshimin drejt Interportit, një nyje logjistike strategjike. Në Pisa, u pushtua pista e aeroportit “Galileo Galilei”, ndërsa në Trieste u regjistruan episode të dhunës ndaj gazetarëve.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme italiane (Viminale), në të gjithë territorin u zhvilluan 29 manifestime me gjithsej 396.400 pjesëmarrës. Por kjo shifër bie ndesh me të dhënat e sindikatës CGIL, që pretendon se protestat kanë mbledhur më shumë se 2 milionë qytetarë në të gjithë vendin. Viminale raportoi gjithashtu se 55 efektivë të policisë janë plagosur gjatë përplasjeve me protestuesit, në dy ditët e fundit.

Përtej shifrave kontradiktore, e vërteta është se Italia po përjeton një nga lëvizjet më të mëdha sociale të dekadës së fundit. Kjo protestë e përmasave të jashtëzakonshme nuk është më thjesht një reagim humanitar ndaj gjenocidit në Gaza, por një sinjal i fortë politik ndaj klasës qeverisëse italiane dhe ndaj çdo strukture ndërkombëtare që lehtëson ose hesht përballë krimeve të luftës.

Revolta e qytetarëve është një pasqyrë e shpërthimit moral të një shoqërie që refuzon të jetë bashkëfajtore nëpërmjet indiferencës. Kërkesa është e qartë: ndalni çdo bashkëpunim ushtarak, tregtar apo logjistik me regjimin izraelit, hapni rrugët humanitare për Gazën dhe respektoni të drejtën për jetë të një populli që prej muajsh po përjeton një katastrofë të përmasave historike. /Pamfleti

Lini një Përgjigje