
Për herë të parë në 33 vite, një kompani private merr përsipër të rikonstruktojë falas sallën e qeverisë, ndërsa Rama e paraqet si “dhuratë”, por ligji e quan shkelje të rregullave të prokurimit publik...
Më 1 shtator 2025, Edi Rama firmosi Vendimin nr. 479, përpara se të mblidhej Këshilli i Ministrave më 2 shtator. Dokumenti provon sërish se kryeministri e trajton qeverinë si kompani private.
Në vendim thuhet qartë: rikonstruksioni dhe rikonceptimi i sallës së mbledhjeve dhe hollit të saj në Kryeministri do kryhet falas nga një kompani private. Projekti do menaxhohet nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, në varësi direkte të Ramës. Në tekst figuron termi “Marrëveshje Dhurimi”, një marrëveshje mes shtetit dhe një subjekti privat.

Kjo është hera e parë në 33 vite tranzicion, që një kryeministër lidh një pazar të tillë me privatët për ambiente qeveritare. Ndërkohë, i njëjti kryeministër harxhoi 4 milionë euro nga buxheti i shtetit për të ndërtuar kopshtin “Eden” në kryeministri, për qejf personal.
Pesë pyetje që presin përgjigje:
1. Cila është kompania private “bujare” që po financon projektin?
2. Çfarë favoresh ka marrë dhe do marrë nga qeveria në këmbim të “dhuratës”?
3. Përse qeveria, që pagoi miliona për luks privat, nuk financon edhe sallën ku mblidhet vetë kabineti?
4. Sa është shuma e vërtetë e investimit?
5. A përfshihet edhe mobilimi i sallës në këtë dhuratë?
Vendimi i qeverisë i referohet nenit 53 të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”. Por ky nen parashikon tender publik me fonde shtetërore dhe publikim të fondit limit. Në këtë rast, nuk ka tender, nuk ka transparencë, nuk ka fond të shpallur.
Në fakt, nuk kemi “dhuratë”, por një tjetër pazar. Rama e quan marrëveshje dhurimi, por praktika është kontratë klienteliste. Qeveria hyn me dokumente, kompania hyn me para, dhe qytetarët mbeten me dyshimin e përhershëm: kush e paguan dhe çfarë merr mbrapsht?/Pamfleti
Lini një Përgjigje