TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia31 Maj 2024, 12:15

Si u zhduken 32 milionë Euro pensione të arkëtuara në vite

Shkruar nga Pamfleti

Si u zhduken 32 milionë Euro pensione të arkëtuara në vite

Më këtë vjedhje, ka lidhje vendimi i qeverisë, për shpërndarjen e pensioneve me karta krediti, duke shmangur ISSH-në dhe Postën Shqiptare...

Ka sinjale, se institucionet publike dhe bankat private, që merren me shpërndarjen dhe arkëtimin e pensioneve, janë përfshirë në një krim të organizuar, “tymi” i të cilit ka filluar të dalë.

Bëhet fjalë për vlerat e pensioneve, që nuk tërhiqen nga një pjesë e pensionistëve, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, ose janë në Shqipëri e kanë burime të tjera financiare familjare, për të përballur jetesën pa nevojën e pensionit.

Pra, nëse një i moshuar nuk e tërheq pensionin, automatikisht i krijohet një llogari bankare nëpërmjet Postës Shqiptare që i administron, mbështetur në të dhënat e regjistrit dhe dosjeve personale që kanë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Por në një informacion, të ardhur në “Pamfleti” nga burime brenda Ministrisë së Financave, thuhet se shumica e këtyre pensioneve të depozituara nga 1 deri në 3 vite gjatë periudhës 2018-2023, janë zhdukur përgjatë “zinxhirit” ISSH, Posta dhe 7 bankat private ku ato depozitohen.

Sipas hetimit paraprak që ka bërë Ministria e Financave, në transaksionet e kryera nëpërmjet Thesarit të Shtetit te Instituti i Sigurimeve, Posta Shqiptare dhe transferimit te 7 bankat private, rezulton se mungojnë 32 milionë Euro pensione të pa tërhequra në 6 vitet e fundit.

Sipas informacionit, në Shqipëri janë 111 mijë e 723 të moshuar që nuk i tërheqin pensionet e pleqërisë, por i lënë te Posta Shqiptare, e cila brenda 3 viteve i likuidon vetë në sportelet e saj, ose me numra llogarie me pagesa në formë çeqesh.

Zhdukja e tyre, është zbuluar nga një kërkesë e Institutit të Sigurimeve, drejtuar Ministrisë së Financave, për fond shtesë emergjence në likuidimin e pensioneve të vjedhura, për të cilët Thesari i Shtetit i ka bërë transfertat sipas shumave financiare të çdo muaji.

Për të fshehur shpërthimin e një skandali të rëndë financiar, Ministria e Financave ka ndërhyrë me fondet e kërkuara me një vendim të ndërmjetëm të Qeverisë e Bankës së Shtetit, duke ri-mbushur llogaritë e pensionisteve sipas emrave, por në rastin konkret është vjedhur shteti.

Deri tani është konstatuar shuma e vjedhur nga fondi i pensioneve të depozituara, por ministria ka krijuar një grup pune me ekspertë të Thesarit e Buxhetit, për të konstatuar se në cilën hallkë të zinxhirit “Instituti i Sigurimeve-Posta Shqiptare-Bankat Private”, ose në tre këto shërbime, janë vjedhur 32 milionë Euro pensione që ka paguar shteti.

Më këtë vjedhje, ka lidhje projekti i shpallur nga qeveria, për ndarjen e pensioneve me karta krediti, duke shmangur ISSH-në dhe Postën Shqiptare, duke ua lënë përgjegjësinë bankave./Pamfleti

pensione issh posta shqiptare

Lini një Përgjigje